Amanda Montell, The Guardian

Qyshkur mësova mbi konceptin e “klishesë mendimmbytëse,” e kam të pamundur të mos e shoh atë kudo, nga debatet politike telivizive tek posterat motivues shabllonë dhe “dituria e hashtageve” që përmbytin rrjetet e mia sociale. Kjo frazë, e formuluar në vitin 1961 nga psikiatri Robert Xhei Lifton, shërben për të përkufizuar fjali të rëndomta e ç’orientuese, që synojnë mpirjen ose anashkalimin e të menduarit kritik dhe të pavarur. Për herë të parë mësova rreth kësaj taktike gjatë studimeve për shkrimin e një libri mbi gjuhën e udhëheqësve kultistë, ndonëse shprehje të tilla përshkojnë edhe bisedat e përditshme të gjithsecilit prej nesh. Ndër shembujt më të njohur gjejmë shprehje si, “S’ke ç’i bën”, “Burrat si burrat”, “Gjithçka ndodh për një arsye” apo “Mos e vrit mendjen më shumë se ç’duhet”.

 

Cilido person i pushtetshëm, nga politikanët populistë e gjer tek influencuesit e rrjeteve sociale, është i aftë të shfrytëzojë klishetë mendimmbytëse për të hedhur poshtë kundërshtimet e ndjekësve të vet, ose për të përfocuar një argument të dobët në thelb. Në librin e tij “Reformimi i të Menduarit dhe Psikologjia e Totalitarianizmit,” Lifton shprehet se fraza të tilla mund të kondensojnë edhe “problemet më të thella e komplekse… në fjali të shkurtra, në dukje të pakundërshtueshme, që mbahen mend po aq lehtësisht sa edhe mund të shprehen. Ato bëhen kështu fillimi dhe fundi i çdo analize ideologjike.”

Fraza të tilla standarde po përjetojnë kohën e tyre të artë në epokën digjitale, të përhapura përmes foto-citimeve dhe postimeve virale në rrjetet sociale. Gjatë izolimit të shkaktuar nga Covid-i, thënie dogmatike si, “Realiteti është subjektiv” apo “Mos lejo të sundohesh nga frika”, shpërthyen në rrjet mes konspiracionsitëve.

Klishe të ngjashme ekzistojnë, natyrisht, në çdo gjuhë. Në Kinë, një sërë zyrtarësh qeveritarë janë të njohur për përdorimin e frazës “Mei banfa,” që do të mund të përkthehej si, “S’ka zgjidhje” ose “S’kemi si ta zgjidhim,” për të justifikuar pasivitetin e tyre ose të institucioneve. Thënia polake “Co wolno wojewodzie, to nie tobie, smrodzie” do të thotë pak a shumë “Të pushtetshmit mund t’ia hedhin gjithmonë paq” (ndaj, nuk ia vlen të përballesh me ta). Sipas Walter Scheirer, autor i librit “Histori e Gënjeshtrave në Internet,” klishetë mendim-vrasëse bartin gjithmonë shijen e disfatës. Tek e fundit, duhet shumë punë dhe lodhje e aftësive intelektuale për të gjetur mënyrën më të mirë të të menduarit për çështje komplekse si politikat klimatike apo gjeopolitika. Kjo e bën lejen për të hequr dorë nga të menduarit gjithmonë interesante.

Tobia Spampati, shkencëtar pranë Universitetit të Gjenevës, thotë se fraza të tilla bëhen veçanërisht problematike kur përdoren nga politikanë me fuqi vendimmarrëse. Në 2023-in, konservatorët në Australi përdorën sloganin rimues “If you don’t know, vote no” (Nëse nuk je i sigurt, voto kundër) për t’i shtyrë qytetarët që të votonin kundër një amendamenti, që do t’i jepte popullsisë vendase indigjene të drejtën e përfaqësimit në parlament. Spampati, i cili studion marrëdhënien midis përpunimit të informacionit dhe bestytnive në lidhje me ndryshimet klimatike, thotë se dezinformimi pëson rritje sidomos gjatë ngjarjeve të rëndësishme si zgjedhjet ose marrëveshjet për klimën. Pikërisht atëherë klishetë mendimmbytëse arrijnë edhe qëllimet e tyre më dinake. Shembuj të frazave që përdoren për të relativizuar përpjekjet për të luftuar ndryshimet klimatike, variojnë nga thënie të tipit “Ndryshimet klimatike janë një mashtrim” dhe “Shkencëtarët kanë agjendë politike”, gjer tek “Ndryshimet klimatike janë të natyrshme” (ose simotra e saj, “Po klima gjithmonë ka ndryshuar”), “Njerëzit do të përshtaten” dhe “Është shumë vonë për të bërë diçka.”

Fatkeqësisht, vetëm ndërgjegjësimi ndaj strategjive të tilla të komunikimit nuk mjafton për t’i bërë ballë ndikimit të tyre. Për këtë mund të fajësojmë “efektin e së vërtetës iluzore”, ose prirjen e pavullnetshme për ta marrë një thënie a deklaratë si të vërtetë, vetëm sepse e kemi dëgjuar të përsëritet disa herë. Liza Facio, studiuese e kujtesës tek njerëzit, ka zbuluar se ne jemi aq të prirur ta besojmë si të vërtetë diçka që tingëllon e dëgjuar për ne, saqë nuk e vemë në dyshim edhe kur na paralajmërojnë se ajo që do të dëgjojmë mund të mos jetë e vërtetë. “Disa prej këtyre klisheve nuk mbijetojnë thjesht ngaqë ne i marrim për të vërteta por, sepse nuk na e shqetësojnë botëkuptimin dhe janë të lehta për t’u kuptuar,” thotë ajo.

Në të shkuarën, përsëritja e informacionit nënkuptonte se ajo çka  thuhej, me gjasë ishte e besueshme. Kur e dëgjojmë shumë herë një informacion, kjo na lë të kuptojmë se ai vjen nga disa burime e, për rrjedhojë, ka më tepër gjasa të jetë i vërtetë. “Qysh në fazat e hershme të zhvillimit, truri ynë e bashkëshoqëron këtë tregues (përsëritjen) me të vërtetën por, kjo mund të çojë në gabime kur rrethohemi nga keqinformimi (si në rastin e mediave sociale),” thotë Facio.

Nga gjithë paragjykimet konjitive që diktojnë në mënyrë të heshtur vendimet tona, efekti i së vërtetës iluzore është ndër më të fuqishmit. Nuk ka një mënyrë të mirëfilltë për ta parandaluar ose luftuar, thotë Sampati, pasi “edhe rritja e ndërgjegjësimit ndaj këtij rreziku, nuk ia ul atij efektivitetin.” Ndaj, për të konkurruar në tregun e klisheve mendimmbytëse, më e mira që mund të bëjmë është të marrim atë çfarë dimë në lidhje me të vërtetën iluzore dhe ta shfrytëzojmë për të shpërndarë informacion të saktë.

Veç përsëritjes, studimet tregojnë se njerëzit iu besojnë më tepër thënieve dhe deklaratave kur paraqiten me germa të lehta për t’u lexuar, ose në mënyra të shprehuri të lehta për t’u kuptuar, siç janë edhe rimat. Sipas studimeve bashkëkohore të asaj që njihet si efekti i “rimës si logjikë”, kërkuesit zbuluan se në anglisht, fraza “Woes unite foes” (Armiqtë i bashkojnë hallet) renditej e besuar si më e vërtetë nga pjesëmarrësit krahasuar me fjalinë “Woes unite enemies,” vetëm për shkak të rimës. Kujtojmë se “foes” dhe “enemies” në anglisht nënkuptojnë të njëjtën gjë, armiq. Nga ana tjetër, një studim i vitit 2021 tregoi se humori është një nga cilësitë që e bëjnë një informacion të mbahet mend më gjatë dhe më të lehtë për t’u ndarë me të tjerët.

Por, nuk ka përse fuqia e përsëritjes, rimës dhe memeve të shfrytëzohet vetëm nga keqinformues të pacipë. “Mos harroni se s’ka asgjë të keqe të përsëritësh një informacion të saktë,” thotë Facio. “Njerëzit kanë nevojë t’iu kujtojnë se çfarë është e vërtetë,” si përshembull, që vaksinat janë të sigurta dhe se ndryshimet klimatike nxiten nga veprimet tona.

 

“Mendoj se është më mirë që të krijojmë frazat tona klishe. E para që më vjen në mendje është ‘Nuk kemi një planet B,’” këshillon Spampati. Ia vlen të tingëllosh pak klishe kur është fjala për të përhapur logjikën në kohë të palogjikshme. (Përgatiti për TemA, Bjorn Runa)

Amanda Montell është linguiste dhe autore amerikane. Librat dhe essetë e saj trajtojnë jetën brenda grupeve kultiste, kthimin e irracionalitetit në normë në shoqëritë tona dhe se si paragjykimet konjitive lejojnë përhapjen e lehtë dhe të shpejtë të keqinformimit./Tema