Anëtari i byrosë politike të lëvizjes Hamas, Osama al-Hamdan, ka deklaruar se Hamasi nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve me Izraelin pa një ndërprerje të plotë të luftës izraelite dhe tërheqjes së plotë të trupave nga Rripi i Gazës.

Duke folur në një konferencë për media në kryeqytetin libanez Bejrut, al-Hamdan u bëri thirrje ndërmjetësve “të marrin një përgjigje të qartë izraelite që konfirmon se është dakord për një armëpushim të përhershëm dhe tërheqje të plotë nga Gaza”.

Të premten, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Izraeli prezantoi një marrëveshje të përbëra nga tre faza që do t’i jepte fund armiqësive në Gaza dhe do të siguronte lirimin e pengjeve të mbajtura në enklavën bregdetare. Plani përfshin një armëpushim, një shkëmbim të pengjeve dhe të burgosurve, si dhe rindërtimin e Gazës.

Megjithatë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dje tha se ai “nuk ishte gati të ndalojë” luftën në Gaza, duke pretenduar se komentet e presidentit Biden për propozimin e armëpushimit ishin “të pasakta”.

Partnerët e tij të koalicionit, ministri i Sigursë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir i ekstremit të djathtë dhe ministri i Financave, Bezalel Smotrich, kanë kërcënuar se do të rrëzojnë qeverinë nëse Netanyahu bie dakord me planin e armëpushimit të presidentit amerikan.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Gaza që nga sulmi ndërkufitar i tetorit nga Hamasi. Të paktën 36.500 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në Gaza dhe rreth 83 mijë të tjerë janë plagosur.

Pothuajse tetë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e fundit të saj ka urdhëruar Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku mbi 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim./aa