Sllovenia iu bashkua dje listës së vendeve evropiane që kanë njohur shtetësinë palestineze.
“Dhoma kryesore legjislative e Sllovenisë, Asambleja Kombëtare, votoi në mbështetje të masës me 52 vota pro dhe asnjë kundër”, njoftoi agjensia e lajmeve STA.
Opozita e qendrës së djathtë bojkotoi votimin.
Më herët gjatë ditës, opozita kishte paraqitur një mocion për një referendum kombëtar për njohjen e Palestinës. Më pas ai u tërhoq, përpara se një mocion i dytë të refuzohej nga parlamenti.
“Sllovenia ishte “në anën e duhur të historisë”, tha ministrja e Jashtme sllovene Tanja Fajon në platformën X.
“I dashur popull i Palestinës, vendimi përfundimtar i sotëm i Sllovenisë është një mesazh shprese dhe paqeje. Ne besojmë se vetëm një zgjidhje me dy shtete mund të çojë në një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Sllovenia do të vazhdojë pa u lodhur të punojë për sigurinë e të dyjave kombeve, palestinezëve dhe izraelitëve”, shkroi ajo.
Më shumë se 140 nga 193 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara e njohin Palestinën si një shtet sovran. Vendet e Evropës Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë prej kohësh një përjashtim.
Më 28 maj, Spanja, Irlanda dhe Norvegjia njohën zyrtarisht Palestinën, një lëvizje që u dënua ashpër nga Izraeli si pengesë për paqen në rajon./ata