Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke komentuar raportet me kryeministrin Albin Kurti, tha se çdo gjë është e tejkalueshme kur të vendoset interesi shtetëror dhe qytetar.

Vjosa Osmani e konsideroi domosdoshmëri koordinimin ndërinstitucional për çështje të interesit nacional. Kjo e fundit tha se nuk është vetëm çështje teknike, andaj angazhohet për raporte korrekte ndërinstitucionale.

Presidentja Vjosa Osmani shtoi se s’ka asnjë luftë politike me qeverinë dhe kryeministrin Kurti, por shtoi se do të angazhohet për marrëdhënie dhe bashkëpunim korrekt.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se nuk beson që ekzistojnë dallime të patejkalueshme mes tij dhe krerëve tjerë shtetërorë, përfshirë Osmanin.

Diskutimet janë rritur secilën herë e më shumë, pasi Presidenca ka thënë se Qeveria nuk është konsultuar me të për hapat që ka bërë Kosova për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Prishtina zyrtare, një ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, deklaroi se gjatë muajit maj do të dërgojë për shqyrtim në Kushtetuese një propozim për asociacionin, por zyrtarë të lartë të Perëndimit kanë vlerësuar se një gjë e tillë është e pamjaftueshme.

E para e shtetit, Vjosa Osmani nënvizoi edhe nevojën e respektimit të kushtetutshmërisë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Mbi këtë parim ajo tha se pret të trajtohen edhe propozimet e ardhshme për këtë temë.

Këto komente Osmani i bëri pas takimit me kryetarët e komunave të Kosovës.

/KosovaPress/