Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, inspektuan punimet në aksin e ri rrugor Thumanë-Kashar, pjesë e Korridorit Blu.
Në aksin rrugor Thumanë-Kashar, i pari i kategorisë A të Bashkimit Europian, po punohet me tre turne për të bërë të mundur përfundimin në 30 qershor, duke i dhënë një frymëmarrje të shumëpritur qarkullimit në një pikë kritike që pret prej vitesh këtë zgjidhje europiane.
Në këtë kantier po punohet me 3 turne, janë angazhuar mbi 1 mijë punonjës dhe 12 asfaltshtruese, gjë e cila, sipas kryeministrit Rama siguron që çdo afat të arrihet.
Zëvendëskryeministrja Balluku informoi se gjatë qershorit lidhen kontratat për segmentet Kashar – Lekaj – Fier dhe Thumanë – Milot, si edhe hapet gara për segmentet Milot – Balldren dhe Balldren – Muriqan, të cilat plotësojnë krejt trupin e Korridorit Blu, si pjesë e unazës europiane të turizmit mesdhetar.
“Një zotim madhor i mbajtur, pasi u prit me të qeshura nënçmuese kur u shkrua në programin qeverisës të Partisë Socialiste”, deklaroi Balluku.
Balluku deklaroi se paralelisht me Korridorin Blu do të vijojnë financimet për realizimin e Korridorit VIII Durrës – Pogradec, ku do të realizohet edhe lidhja me rrjetin europian të transportit Lindje – Perëndim, duke përmbyllur skeletin e infrastrukturës rrugore të Shqipërisë 2030, gati për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Për sa i përket segmentit Tiranë-Durrës, zëvendëskryeministrja informoi se të dy krahët zgjerohen me nga një korsi, plus korsinë e emergjencës.
Zv/kryeministrja bëri të ditur se pritet që deri në fund të vitit të hapet edhe gara ndërkombëtare për ndërtimin e bajpasit të Tiranës.
“Me nisjen e kantierit të bajpasit të Tiranës, kemi përfunduar infrastrukturën kritike që ka të bëjë me Unazën e Madhe që dorëzohet me të gjitha lotet e saj me 31 dhjetor 2024. Bëjmë të mundur dhe lidhjen e kësaj unaze me të gjitha autostradat nga jugu, lindja, veriu dhe perëndimi”, tha Balluku./ata