Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi sot një tryezë diskutimi me ekspertë të ekonomisë për programin ekonomik të PD-së.

Në fjalën e tij, Basha tha se “kjo është tryeza e parë që organizojmë pas shpalosjes të programit të Partisë Demokratike ditën e shtunë dhe është stacioni i parë, pa diskutim na sjell tek ekonomia në të gjithë kuptimet e saj, tek klima e biznesit, tek taksat, tek çmimet, tek kostoja e jetesës, tek punësimi dhe shpunësimi, tek e ardhmja e rinisë në raport me tregun e punës dhe me investimet e huaja dhe të brendshme në vend”.

“Synimi është një dhe vetëm një: asnjë pjesë e programit dhe ofertës tonë të mos mbetet në hije, asgjë të mos i mbetet rastësisë. Një kulturë e re politike kërkon që oferta e çdo formacioni politik të jetë transparente”, theksoi Basha.

Kreu i PD-së, Basha u shpreh se “ekonomia shqiptare vuan në një lëngatë të shumëfishtë. Vuan nga njëra anë për shkak të korrupsionit galopant, një sëmundje shoqëruese e tranzicionit shqiptar, por që nuk ka pasur kurrë nivele të tilla si në këtë dekadë, dhe në këtë mënyrë është kthyer jo thjesht një pengesë, por një gangrenë për rritjen ekonomike”.

Sipas tij, ekonomia shqiptare është kthyer në kontribuesin kryesor për mosmirëqenien e shqiptarëve, për varfërinë e tyre, për ankthin që ka kapluar si faktorët ekonomikë, ashtu edhe tregun e punës, që i është përcjellë familjes shqiptare, i është përcjellë në veçanti rinisë shqiptare me pasojat të rënda, mpakjen e vendit, shpopullimin e vendit.

“Synimi ynë është dhe mbetet, atë që kemi shpalosur si ofertë të Partisë Demokratike si program të Partisë Demokratike ta kthejmë së bashku me shqiptarët në një program për shqiptarët”, tha Basha./ata