Drejtori i Stabilitetit Financiar pranë Bankës së Shqipërisë, Klodian Shehu tha se, ecuria e kursit të këmbimit valutor varet nga kërkesë oferta në treg dhe ndryshimet që kanë ndodhur refelektojnë zhvillimet reale pozitive në ekonominë shqiptare.
Në një intervistë për median, Shehu e cilësoi këtë ecuri një zhvillim normal.
Sipas tij, treguesit ekonomikë e reflektojnë këtë realitet. “Në vitin 2023 kishim një përmirësim për herë të parë në shumë vite të llogarisë korente, si rezultat i performancës shumë të mirë të sektorit të turizmit”, u shpreh ai.
“Të ardhurat nga turizmi janë shumë të mira, kanë vazhduar të jenë shumë të mira edhe në 6- mujorin e parë 2024, bashkë me të ardhurat nga remitancat dhe hyrjet nga investimet e huaja direkte që do të thotë që flukset e euros në ekonomi, janë të rëndësishme dhe të jashtëzakonshme krahasuar me 10-15 vitet më pare”, shpjegoi Shehu.
Sipas tij, kjo ka bërë që të ketë nënçmim të euros në kursin e këmbimit. Ky, sipas tij, është fenomen që është vënë re në periudha të ndryshme edhe në vende të tjera dhe ka bërë që Bankat Qendrore të asorbojnë një pjesë të kësaj valute, ashtu sikurse ka vepruar edhe Banka e Shqipërisë.
Shehu vuri në dukje se, ndryshimet që kanë ndodhur në kursin e këmbimit valutor, përfaqësojnë ndryshimin strukturor në ekonominë shqiptare.
“Është e parakohshme të thuhet nëse do të vazhdojë apo ajo, por nivelet aktuale të kursit të këmbimit reflektojnë zhvillimet që kanë ndodhur. Në afatshkurtër luhatjet në tregun valutor mund të krijojnë probleme në portofolet e agjentëve ekonomik dhe mund t’i shtyjnë ata që të bëjnë veprime të nxituara. Për këtë arsye BSH-ja preferon gradualitetin në kursin e këmbimit, për t’i lënë kohë agjentëve të ekonomisë reale që të përshtatin portofolet e tyre”, deklaroi Shehu.
Shehu informoi se, sektori bankar në vendin tonë ka qenë i shëndetshëm dhe se fitimi në vitin 2023 ka qenë rekord, ndërsa situata e kapitalizmit të sistemit bankar mbetet e kënaqshme./ata