Kancelari gjerman Olaf Scholz njoftoi se Gjermania po planifikon të ndryshojë rregulloret për të dëbuar afganët dhe sirianët që kanë kryer krime të rënda.
Kancelari gjerman në një fjalim të tij në parlament iu referua një sulmi me thikë që vrau një oficer policie javën e kaluar, duke theksuar se Gjermania nuk do të tolerojë ekstremistët fetarë dhe kriminelët të cilët shfrytëzojnë ligjet gjermane që mbrojnë refugjatët.
"Kriminelët e tillë duhet të deportohen edhe nëse vijnë nga Siria dhe Afganistani. Kriminelët e rëndë dhe terroristët nuk kanë vend këtu. Në raste të tilla, interesat e sigurisë së Gjermanisë janë më të mëdha se interesat e mbrojtjes së autorit të krimit", tha ai.
Scholz tha se Ministria e Brendshme aktualisht po punon për ndryshime ligjore dhe hapa praktikë për të mundësuar deportimin e shtetasve afganë që kanë kryer akte terroriste ose krime të rënda në vendin e tyre të origjinës.
"Ne nuk do të tolerojmë më që krimet terroriste të glorifikohen dhe festohen, kjo është një shuplakë në fytyrën e viktimave, të dashurve të tyre dhe sistemit tonë demokratik. Prandaj ne do të shtrëngojmë rregullat tona të dëbimit", tha ai, duke shtuar se ata që lavdërojnë terrorizmin gjithashtu do të dëbohen./aa