Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim deklaroi se Malajzia nuk është një fuqi e madhe por do të përdorë lirinë për të mbështetur luftën e palestinezëve.

Sipas lajmit të gazetës "Malay Mail", kryeministri Anwar foli në Takimin e 37-të të Tryezës së Rrumbullakët Azi-Paqësor të mbajtur në kryeqytetin Kuala Lumpur.

Anwar theksoi se pavarësisht se ndikimi dhe fuqia e vendit të tij është e kufizuar, ai është sovran dhe i lirë. "Okupimi i Palestinës nga Izraeli është plagë për historinë tonë kolektive dhe sjelljen e kombeve. Ndërsa palestinezët jetojnë nën shtypje dhe rrethim, ne jemi gjallë dhe të lirë. Ndikimi dhe fuqia jonë janë të kufizuara, por ne jemi sovranë dhe të lirë. Malajzia nuk është fuqi e madhe por mos keni aspak dyshim se ne do të përdorim lirinë tonë për të mbështetur luftën e palestinezëve", tha ai.

Duke vënë në dukje se kriza humanitare në Palestinë nuk është fatkeqësi abstrakte, Anwar tha: "Ne nuk mund të lejojmë që kjo të bëhet episod tjetër i vrasjeve dhe shpërnguljeve masive i cili kryhet, njihet dhe më pas mbush vëllimin historik të persekutimeve në një mënyrë tragjike por të injoruar në mënyrë të përshtatshme".

Anwar theksoi se sheh disa shenja se qëndrimi i SHBA-së ndaj pushtimit të Palestinës nga Izraeli ka filluar të ndryshojë dhe se e mirëpret këtë. Ai shtoi se shpreson që presidenti amerikan Joe Biden të rivlerësojë qasjen ndaj konfliktit në Rripin e Gazës dhe t'i japë fund masakrës.

- "Në konfliktet ndërkombëtare, Malajzia është në anën e paqes dhe përparimit"

Anwar tha se kohët e fundit ka pasur perceptim se Malajzia po anon drejt një boshti strategjik. "Ne jemi jashtëzakonisht të pavarur, që do të thotë refuzojmë të përcaktohemi nga mënyra se si e shohin botën fuqitë e mëdha. Malajzia do të vazhdojë të përpiqet për interesat tona kombëtare dhe strategjike të përcaktuara sipas kushteve tona", tha ai.

"Në konfliktet ndërkombëtare Malajzia qëndron në anën e paqes dhe përparimit, miqësisë dhe mbi të gjitha këto, përkushtimit ndaj ligjit ndërkombëtar dhe bashkëpunimit. Malajzia do të vazhdojë të mbajë marrëdhënie produktive dhe kuptimplote me partnerët tanë, pavarësisht nëse ata janë partnerët tanë strategjikë afatgjatë dhe gjithëpërfshirës, strategjikë ose miqtë tanë në jug. Malajzia ka histori krenare që ka qenë pjesë e Lëvizjes së të Paangazhuarve gjatë Luftës së Ftohtë", potencoi Anwar.

Sipas tij, ruajtja e ekuilibrit në marrëdhëniet me partnerët strategjikë është pjesë e rëndësishme e qasjes së Malajzisë ndaj botës. Anwar shton se ka situata që kërkojnë ndërhyrje pa hezitim dhe vendimtare si "mizoritë publike, gjenocidi, zhvendosja e të gjithë popullsisë"./aa