Një përplasje ballë për ballë mes një treni pasagjerësh dhe një treni mallrash në Republikën Çeke ka lënë të vdekur të paktën katër persona dhe 23 të tjerë të plagosur.

Policia çeke tha se një tren pasagjerësh dhe një tren mallrash u përplasën në qytetin Pardubice, rreth 100 kilometra në lindje të kryeqytetit Pragë.

Nga atje njoftuan se njësitë e Sistemit të Integruar të Shpëtimit (IRS) aktualisht po përgjigjen në vendngjarje, ku ka një numër të madh të të lënduarve.

"Hetuesit e krimeve do të hetojnë shkaqet dhe rrethanat e aksidentit", tha policia.

Sipas faqes së internetit ‘Euronews’, ekipet e shpëtimit thanë se mbi 300 pasagjerë ndodheshin në trenin e shpejtësisë së lartë për në Kosice të Sllovakisë.

"Për momentin, evakuimi i pasagjerëve nga treni dhe identifikimi i tyre vazhdon dhe ndihma psikologjike po ju ofrohet drejtpërdrejt në ambientet e stacionit", njoftoi Vit Rakusan, ministër i Punëve të Brendshme.

Rakusan përcolli ngushëllimet e tij "familjeve të viktimave", duke u uruar shërim të shpejtë të plagosurve.

Më vonë, Rakusan tha se askush nga të plagosurit nuk është në gjendje të rrezikshme për jetën.

Siç raporton ‘Euronews’, ministri i Transportit, Martin Kupka, tha se "nuk mund dhe nuk do të spekulojmë për shkakun e aksidentit".

Mediat lokale thanë se treni i aksidentuar zotërohet nga kompania private ‘RegioJet’./aa