Në ciklin e takimeve “Diplomacia dhe kultura”, të zhvilluara në COD, i ftuari i radhës ishte ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Álvaro Renedo Zalba, i cili u ndal në temën: “Culture for Diplomacy and Diplomacy for Culture”, me të pranishëm përfaqësues nga institucione të ndryshe publike dhe private, por edhe me praninë e studentëve dhe të nxënësve.
Si përfaqësuesi më i lartë diplomatik i Mbretërisë së Spanjës, Zalba, bëri një paraqitje të thelluar të kulturës spanjolle në botë, por u ndal edhe te nxitjet që Spanja e Shqipëria kanë tashmë prej katër dekadash. Hapja e ambasadës së Spanjës në Tiranë në vitin 2006 shënoi një hap cilësor në marrëdhëniet dypalëshe. Që prej asaj kohe, por veçanërisht gjatë viteve të fundit, janë bërë përpjekje për të nxitur bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë, si ekonomia dhe arsimi, por edhe në nisma të fushave të tjera.
Të pranishmit shprehën interes të lartë për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, si dhe për rëndësinë e veçantë që iu kushtua kulturës dhe integrimit në BE.
Ambasadori Zalba u shpreh se kultura është ajo që ndikon në njohjen e vendit dhe që ndërton ura ndërmjet shteteve dhe njerëzve. Ai përmendi gjithashtu rritjen e turizmit, duke theksuar ndikimin e turizmit kulturor. Ndër projektet më të rëndësishme që ambasada ka ndërmarrë kohët e fundit është hapja e universitetit UNED në Gjirokastër dhe e kampit veror të Realit të Madridit për fëmijë në Tiranë. Ambasadori Zalba ritheksoi angazhimin e tij ngulmues në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian./ata