Puna për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar në kryeqytet po ecën me ritme të mira.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale fotografi nga kantieri i Teatrit të Ri Kombëtar.

Rama theksoi se “po punohet për t’i dhënë jetë një godine që do të jetë një tjetër vepër arkitektonike mbresëlënëse e Tiranës së shekullit të XXI dhe ikonë e artit dhe kulturës mu në zemër të kryeqytetit”.

Teatri i Ri në Tiranë është projektuar nga arkitekti me famë botërore, Bjarke Ingels dhe pritet të jetë një nga ndërtesat më të bukura në rajon.

Ky teatër do t’u shërbejë me kushtet më optimale aktorëve e spektatorëve, por edhe do të hyjë me dinjitet në radhën e objekteve më të mira të të njëjtit lloj në Evropë.

Teatri i ri do të ketë të dedikuar disa ambiente të posaçme për shfaqjet dhe aktorët. Më konkretisht do ketë një hapësirë prej 750 metra katror auditor dhe me mbi 600 vende, me ballkon. Gjithashtu do të ketë një skenë teatri prej 630 metra katror dhe dy salla Black Box prej 200 metra katror secila.

Për artistët do të ketë një hapësirë prej 200 metra katror që do përdoret si sallë ndërrimi, një sallë provash prej 200 metrash katror, tualete dhe dushe si dhe një dhomë të gjelbër. Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj. Gjithashtu do të ketë sallë kursesh dhe të gjitha facilitetet për publikun./ata