Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural synon ngritjen e një sistemi ose regjistri digjital për fermat bujqësore dhe peshkimin që konsiston në mbledhjen, verifikimin dhe raportimin e të dhënave në terren.

Sipas MBZHR-së, sistemi do të funksionojë sipas rrjetit të të dhënave të kontabilitetit të fermave (FADN), sipas standardeve të BE-së, ku të dhënat e mbledhura zakonisht përmes këtij instrumenti përfshijnë vlerën e prodhimit të të korrave, stoqet, shitjet dhe blerjet, kostot e prodhimit, aktivet, detyrimet, kuotat e prodhimit dhe subvencionet, duke krijuar një pasqyrë të saktë ekonomike për to.

Paralel me këtë, MBZHR po punon edhe për ngritjen e Sistemit Elektronik të Regjistrimit dhe Raportimit të Aktivitetit të Peshkimit.

Qëllimi i kësaj kontrate është ngritja e një moduli elektronik,  i cili ka për qëllim regjistrimin dhe monitorimin e aktiviteteve të peshkimit.  Nga ky modul do te përftohet regjistrimi, përpunimi dhe transmetimi i të dhënave gjatë aktivitetit të peshkimit, (zënie, zbarkim dhe transbordim)  në zbatim të ligjeve në fuqi, duke monitoruar dhe dokumentuar të plotë këtë aktivitet nga ana e Autoriteteve të Peshkimit. Aktualisht raportimi i aktivitetit te peshkimit, zhvillohet nga plotësimi i formularëve (librave të anijeve/logbook) në mënyrë manuale nga kapiteni i secilës anije/subjekt.

Të dhënat e akumuluara nga këto sisteme do të shërbejnë për hartimin më të mirë të politikave të Ministrisë së Bujqësisë për këto sektorë.

MBZHR bën të ditur se, për krijimin e regjistrave digjital po ndiqet procedura e prokurimit publik në zbatim të ligjit dhe rregullave në fuqi./ata