Mbi 93% e ndërmarrjeve, në secilin grup sipas madhësisë, kanë raportuar fitim gjatë 6-mujorit të dytë të vitit 2022, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.

 

BSH-ja realizoi vrojtimin e ndërmarrjeve për gjashtëmujorin e dytë 2022 nëpërmjet një kampioni prej 1,352 ndërmarrjesh të madhësive të ndryshme të shtrira gjeografikisht në të gjithë vendin dhe që kryejnë aktivitetin e tyre në sektorët kryesorë të ekonomisë.

 

Pritshmëritë e BSH-së mbi rezultat e vrojtimit, për gjashtëmujorin e ardhshëm për nivelin e shitjeve të përgjithshme dhe rezultatin financiar paraqiten pozitive për ndërmarrjet e të gjitha madhësive dhe më optimiste në krahasim me periudhën paraardhëse.

 

Sinjalet vijojnë të jenë optimiste lidhur me zgjerimin e veprimtarisë apo rritjen e investimeve për të gjitha madhësitë e ndërmarrjeve. Për sa i përket pritshmërive për gjashtëmujorin e ardhshëm, ato vijojnë të mbeten optimiste, por paraqesin ngushtim për ndërmarrjet e vogla në krahasim me periudhat paraardhëse të analizuara, thekson Banka e Shqipërisë.

 

Gjatë periudhës, rreth 57% e ndërmarrjeve kanë vijuar të financojnë veprimtarinë e tyre vetëm nëpërmjet shitjeve, duke shënuar rritje për ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesme. Ndërkohë, prirja e kombinimit të burimeve të financimit vijon të zërë një peshë të konsiderueshme për periudhën, duke u zgjeruar për ndërmarrjet e mesme dhe ato të mëdha. Peshën kryesore në këtë aspekt vijon ta zërë financimi i realizuar nëpërmjet kombinimit të shitjeve me rezervat e mbartura, ndjekur nga kombinimi i shitjeve me huanë.