Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momentet që shënuan vizitën e djeshme të Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni në strukturat akomoduese që po ndërtohen në Gjadër sipas marrëveshjes për migrantët mes Italisë dhe Shqipërisë si dhe konferencën e përbashkët për mediet.

Meloni e shoqëruar nga Kryeministri Edi Rama inspektoi punën në kampin e migrantëve.

Pas vizitës në Gjadër, Meloni dhe Rama mbajtën një konferencë për shtyp.

Kryeministrja Meloni tha se “qendrat e mikpritjes në Shëngjin dhe strukturat akomoduese në Gjadër do të nisin operimin më 1 gusht 2024. Siguria në këto dy zona, por dhe transporti i migrantëve do të jetë përgjegjësi e autoriteteve italiane”.

“Në fokus të marrëveshjes është edhe lufta ndaj trafikut të paligjshëm të qenieve njerëzore, grupeve kriminale në fushën e emigracionit si dhe çdo formë të migrimit të paligjshëm”, tha Meloni.

Po ashtu Meloni u shpreh se “marrëveshja e nënshkruar mes Italisë dhe Shqipërisë mund të jetë pjesë e zgjidhjes së problemit të migracionit të paligjshëm në BE, që është shqetësim për familjen evropiane prej vitit 1991”.

Lidhur me akuzat e medias italiane, Meloni theksoi se “mendoj se duhet vlerësuar fakti që për të goditur, sulmuar qeverinë italiane, goditet dhe sulmohet një partner ndërkombëtar. S’po dëmtohet vetëm qeveria italiane, por dhe Italia si vend. Sepse pavarësisht suksesit ose jo të marrëveshjes e gjitha kjo është pjesë e përbaltjes që i bëhet qeverisë italiane dhe këtu rrezikojmë t’i shkaktojmë dëm të gjithë vendit dhe pse shtypi italian ka bërë zgjedhje të tij”.

Kryeministri Rama u shpreh se “në lidhje me marrëveshjen për emigrantët me shtetin italian, shteti shqiptar nuk ka bërë asnjë kalkulim dhe nuk ka fituar asnjë euro”.

Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni nënshkruan më 6 nëntor 2023 në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të një qendre për strehimin e migrantëve. Sipas marrëveshjes qendra do të vendoset në Gjadër të Lezhës dhe do të ketë një kapacitet maksimal prej 3 mijë personash. Marrëveshja parashikon që të gjitha shpenzimet do të përballohen nga Italia, ndërsa pala italiane do të procedojë me kërkesat për azil.

Personat të cilëve nuk do t’u miratohet procedura e azilit do të riatdhesohen drejt vendeve të tyre, sipas marrëveshjeve dypalëshe që ka pala italiane me ato vende. Kohëzgjatja e marrëveshjes do të jetë 5 vjet./ata