Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin e inflacionit më të ulët në rajon dhe nën mesataren e vendeve të Bashkimit Europian.

 

Ministrja Ibrahimaj në një konferencë për shtyp mbi zhvillimet në ekonomi gjatë muajve të parë të këtij viti renditi edhe disa nga faktorët që kanë ndikuar në mbajtjen në këto nivele të inflacionit.

 

Sipas saj, ndikimin kryesor e kanë dhënë politikat e qeverisë por edhe kursi i këmbimit.

 

“Për sa i përket inflacionit, për vitin 2022 ai llogaritet 6.7 %, ndjeshëm më i ulët se inflacioni i vendeve të rajonit apo mesatares së BE-së. Nga tetori kemi parë një rënie të inflacionit dhe për të arritur në 5.3 % në muajin mars. Mesatarja e tremujoit të parë të këtij viti është 6.5 %”, deklaroi ministrja.

 

Shifrat e Shqipërisë, vuri në dukje Ibrahimaj, janë ndjeshëm më të ulëta se shifrat e pjesës tjetër të rajonit apo mesatares së BE.

 

“Në Shqipëri inflacioni llogaritet 6.5 % në tremujorin e parë, ndërsa ai i ushqimeve dhe pijeve alkoolike është 12.6 %, ndërsa në vendet e BE-së, inflacioni në këtë periudhë ishte 9.4% dhe ai i ushqimeve 18.8 %. Arsyet kryesore që ndikuan në mbajtjen e një inflacioni në nivele më të ulëta lidhen me politikat e ndërmarra nga qeveria me qëllim mbështetjen  e bizneseve duke mos u rritur kostot e prodhimit, por edhe familjarëve nga ana tjetër, me qëllim mbajtjen e konsumit në nivele të kënaqshme”, deklaroi Ibrahimaj.

 

Ministrja shpjegoi edhe efektin e kursimit të këmbimit.

 

“Kursi i këmbimit, ku gjatë vitit të kaluar leku ka pasur vlerësim kundrejt euros, që është monedha kryesore në shkëmbimet tregtare të vendit. Kjo ka pasur ndikim në çmimet e importit që kanë peshën kryesore në inflacionin në vend”, u shpreh ministrja.