Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka mbështetur idenë e kryeministrit Albin Kurti që lehtësuesi i dialogut, Miroslav Lajçak, ta dërgojë draftstatutin e Asociacionit në Komisionin e Venecias.
Në një intervistë të mërkurën, kryeministri Kurti ka thënë se Lajçaku mund ta çojë draftin në Komisionin e Venecias, të cilin e ka konsideruar si “non-paper”.
Konjufca të enjten pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë se Bashkimi Evropian (BE) po do me zor që t’ia marrë kompetencat Kosovës për hartimin e draftstatutit për Asociaconin.
“Është një ide [dërgimi i draftit të Lajçakut në Komisionin e Venecias] që edhe unë si kryetar e mbështesë. Drafti ka një parregullsi sepse nuk është kompetencë e BE-së. Nëse nuk e modifikon këtë qëndrim, atëherë kjo tregon se BE-ja po do me zor me ja marrë kompetencat Kosovës për hartimin e tij”, ka thënë kryeparlamentari.
Ai ka shtuar se janë të gatshëm të diskutojnë me BE-në se kur duhet të jetë gati drafti i Asociacionit, por që hartimi i tij të bëhet nga autoritetet e Kosovës.
Sa i përket marrëdhënieve mes kryeministrit dhe presidentes Vjosa Osmani, Konjufca ka thënë se s’ka asgjë dramatike.
“Mund të kemi ndonjë dallim në qëndrime, por kur dalim para bashkësisë ndërkombëtare, jemi të një mendje e të një goje. S’ka kurrëfarë lufte politike”, ka deklaruar ai.
Kryeparlamentari është shprehur i tronditur dhe i çuditur se si edhe pas nëntë muajve nga sulmi në Banjskë, “nuk ka ende asnjë veprim nga drejtësia”.
“Vepra e tij [Radoiçiqit], mos harroni, është shumë e rëndë. Ai e ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku”, ka thënë Konjufca./BalkanWeb