Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, kanë pritur në takim ndaras ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak.
Siç njofton Zyra e Presidentes, në fokus të diskutimit ndërmjet presidentes Osmani dhe ministrit Dvorak, ishte situata aktuale politike dhe e sigurisë, forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe stabiliteti rajonal.
Presidentja Osmani nënvizoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës në rrugëtimin euroatlantik, duke theksuar domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, përfshirjen në Partneritetin për Paqe, anëtarësimin në NATO, BE dhe organizata ndërkombëtare.
Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, derisa diskutuan edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i uroi mirëseardhje ministrit Dvorak, i cili u kthye në Kosovë pas më shumë se dy dekadave, ku kishte shërbyer si administrator i Komunës së Istogut dhe Gjakovës në vitet 1999-2002.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për Republikën e Çekisë për gjithë mbështetjen që i ka dhënë dhe vazhdon t’i jep Kosovës, përfshirë këtu kontributin e Çekisë përmes misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit (EULEX), përkrahjen përmes votës në proceset e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe së fundmi rolin e saj në procesin e suksesshëm të liberalizimit të vizave.
Ministri çek Dvorak u shpreh i lumtur për vizitën dhe mikpritjen, sa edhe për ndryshimet dhe zhvillimin në vend nga koha kur shërbente në Kosovë, derisa ka thënë se Çekia është mbështetëse dhe mike e afërt e Kosovës dhe e integrimit të saj euro-atlantik.
Kurti dhe Dvorak diskutuan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shtete, me theks tek mundësitë e avancimit të tyre./aa