Tenisti serb Novak Gjokoviq njoftoi se i është nënshtruar një operacioni në gju pas tërheqjes nga turneu French Open 2024 (Roland Garros).
“Në ditën e kaluar, m'u desh të merrja disa vendime të vështira pasi pësova një çarje të meniskut gjatë ndeshjes sime të fundit. Jam ende në proces, por jam i lumtur t’ju informoj se operacioni shkoi mirë”, tha Gjokoviq në Instagram, duke shtuar se do të bëjë çmos që së shpejti të rikthehet “i shëndetshëm dhe në formë” në fushë.
Gjokoviq, 37 vjeç, i cili ka fituar 24 tituj Grand Slam, u lëndua në një ndeshje të raundit të katërt kundër Francisco Cerundolo të Argjentinës të hënën, por fitoi ndeshjen me pesë sete në Paris.
Tenisti norvegjez Casper Ruud u kualifikua në gjysmëfinalen e French Open pas tërheqjes së Gjokoviqit.
Të premten, Ruud do të përballet me tenistin gjerman Alexander Zverev në gjysmëfinale. Finalja e meshkujve do të zhvillohet të dielën.
Gjokoviq pritet të mungojë në Wimbledon këtë verë që do të mbahet nga 1 deri më 14 korrik në Britani. Po ashtu, synimi i tij për të luajtur në Lojërat Olimpike të Parisit duket se është në dyshim pas lëndimit të tij në gju.
Lojërat Olimpike 2024 në kryeqytetin francez do të fillojnë disa javë pas Wimbledonit./aa