Ministri i Punëve të Jashtme të Türkiyes, Hakan Fidan do të vizitojë kryeqytetin grek Athinën në javën e dytë të muajit të ardhshëm.

Turneu i ministrit Fidan do të jetë një vizitë reciproke pas vizitës së punës së homologut të tij grek, George Gerapetritis, në Ankara më 5 shtator të vitit 2023.

Një nga pikat e rendit të ditës për vizitën e ministrit turk në Athinë janë përgatitjet për takimin e 6-të të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë midis presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, i cili është planifikuar të zhvillohet në Ankara vitin e ardhshëm.

 

- Türkiye synon të ruajë vrullin pozitiv në marrëdhëniet me Greqinë

Së fundmi, thanë zyrtarët, marrëdhëniet midis Greqisë dhe Türkiyes kanë marrë vrull pozitiv, të cilin Ankaraja synon ta ruajë.

Siç thuhet në Deklaratën e Athinës për Marrëdhëniet Miqësore dhe Fqinjësinë e Mirë, nënshkruar nga presidenti Erdoğan dhe kryeministri Mitsotakis më 7 dhjetor të vitit 2023, Türkiye vazhdon të fokusohet në fushat e bashkëpunimit nga të cilat përfitojnë të dyja vendet.

Türkiye thekson se autoritetet turke dhe greke duhet të punojnë bashkërisht në mënyrë që të përfitojnë popujt e dy vendeve, duke rritur po ashtu stabilitetin dhe paqen në rajon.

 

- Diskutimet mbi mosmarrëveshjet e Egjeut vazhdojnë

Sipas zyrtarëve turq, përderisa qëndrimet e dy vendeve për çështjen e Egjeut nuk kanë ndryshuar, mbetet e pamundur të pakësohen mosmarrëveshjet e Egjeut në një pikë të vetme, pasi të gjitha mosmarrëveshjet e ndërlidhura me detin dhe ajrin janë në shqyrtim.

Türkiye dëshiron zgjidhje të përhershme, gjithëpërfshirëse dhe të barabartë të të gjitha marrëveshjeve, përfshirë për ujërat territoriale dhe hapësirën ajrore, formacionet gjeografike me pronësi të papërcaktuar, armatimin e ishujve me status jo-ushtarak, si dhe për rajonin e informacionit të fluturimit (FIR) sipas ligjit ndërkombëtar.

Raportohet se midis dy vendeve çështjet e Egjeut u diskutuan në 64 raunde bisedimesh eksploruese-konstultante, respektivisht midis viteve 2002 dhe 2022, me disa përparime të arritura, por pa përparim të mëtejshëm që kur pala greke iu rikthye diskursit se "ka vetëm një mosmarrëveshje".

Sipas zyrtarëve, nëse negociatat dështojnë, mosmarrëveshjet mund të sillen para drejtësisë ndërkombëtare në tërësi, por fillimisht Greqia duhet të heq rezervat e saj për juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

 

- Türkiye e gatshme të bashkëpunojë në fushën e mjedisit dhe energjisë në rajonin e Egjeut

Duke theksuar gatishmërinë e Ankarasë për të bashkëpunuar në Egje në fusha të tilla si mjedisi, energjia, hulumtimi shkencor, lufta kundër emigracionit të paligjshëm dhe kërkim-shpëtimi, zyrtarët po ashtu theksuan se hapat e njëanshme duhet të shmangen nga të dyja vendet.

Ata ritheksojnë se të dyja palët kanë interesa jetike në Egje, por duan ta ruajnë atë si një det të përbashkët, ndonëse pala turke mbështet zbatimin e përbashkët të projekteve mjedisore si parqet detare dhe planifikimi detar.

 

- Çështjet e Seminarit Heybeliada

Zyrtarët thanë se tendenca e Greqisë për të paraqitur çështje që lidhen me minoritetin grek në Türkiye, si Seminari Heybeliada, si një çështje e lirisë fetare universale ose e të drejtave të njeriut që shqetëson komunitetin ndërkombëtar, është vërejtur për një kohë të gjatë, duke theksuar se mirëkuptime të tilla si "minoriteti grek është çështje e komunitetit ndërkombëtar, ndërsa minoriteti turk në Trakinë Perëndimore është vetëm një çështje e brendshme për Greqinë" nuk pranohen.

Duke i bërë thirrje Athinës që të ndalojë praktikat si mohimi i identitetit etnik të pakicës turke, mos njohja e udhëheqësve fetarë të zgjedhur dhe kufizimi "de facto" i mundësive arsimore të pakicës turke, zyrtarët thanë se Türkiye e konsideron pakicën greke si një pasuri dhe një urë miqësie me Greqinë dhe Greqia duhet ta shohë pakicën turke në të njëjtën mënyrë.

Zyrtarët theksojnë se Greqia gjithashtu pritet të rishqyrtojë qasjen e saj ndaj turqve në zona që nuk mbulohen nga Traktati i Lozanës, duke deklaruar se edhe pse turqit që jetojnë në Selanik, Rodos dhe Kos nuk përfshihen në kornizën e pakicave të përcaktuara në Traktatin e Lozanës, pritet që Greqia të ndërmarrë hapa drejt tyre bazuar në vlerat universale dhe në përputhje me të drejtat e njeriut dhe të pakicave./aa