Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka nisur fushatën "Golden Europeans" 50 ditë para fillimit të Lojërave Olimpike Verore "Paris 2024".
Shefi i sektorit të mediave në Komitetin Olimpik të Kosovës, Kushtrim Krasniqi paralajmëroi një sërë aktivitetesh që do të organizohen me rastin e Lojërave Olimpike të ardhshme. Në konferencën për media, ai përkujtoi se Kosova, edhe pse një vend i vogël dhe i ri, fitoi tri medalje në dy Lojërat Olimpike Verore, të tria të arta në xhudo në konkurrencën e femrave.
Ai tha se ekipi i Kosovës do të mbajë sloganin "Golden Europeans" ('Evropianët e Artë') në rrugën për në Paris, që do të jetë motivim shtesë për garuesit.
"Që nga 'Tokio 2020' kemi patur sloganin 'Kosova e Artë' ndërsa këtë herë vendosëm të jemi 'Evropianë të Artë' dhe t'i tregojmë botës se kjo Kosovë di të fitojë, të arrijë suksese në arenën ndërkombëtare dhe në garën më të madhe botërore siç janë Lojërat Olimpike", theksoi Krasniqi.
Krasniqi tha se sportistët e Kosovës deri më tani kanë siguruar gjashtë standarde olimpike në sportin e xhudos dhe boksit dhe se në javët në vijim priten më shumë standarde në atletikë dhe not.
Ndër aktivitetet e planifikuara nga KOK janë një kuiz olimpik në shërbimin publik të Radio Televizionit të Kosovës, lansimi i një videoje promovuese, prezantimi i uniformave dhe olimpistëve kosovarë dhe një festival olimpik në qendër të Prishtinës.
Medaljen e parë olimpike historike për Kosovën e fitoi xhudistja Majlinda Kelmendi në Lojërat Olimpike "Rio 2016", ndërsa xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova fituan medaljen e artë në Lojërat Olimpike "Tokio 2020"./aa