Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se forcat e saj kanë shkatërruar objektiva të grupit jemenas Houthi në Detin e Kuq.

"Në 24 orët e fundit, forcat e Komandës Qendrore të SHBA-së (USCENTCOM) shkatërruan me sukses tetë sisteme ajrore pa ekuipazh (UAS) të Houthive të nisura nga zonat e kontrolluara nga Houthit e Jemenit mbi Detin e Kuq", tha CENTCOM-i në një deklaratë.

Ai shtoi se dy anije sipërfaqësore pa ekuipazh (USV) të Houthive u shkatërruan gjithashtu në Detin e Kuq.

Duke theksuar se një anije e koalicionit u përgjigj me sukses ndaj një UAS-i të lëshuar nga një zonë e kontrolluar nga Houthit mbi Detin e Kuq, komanda tha se Houthit lëshuan gjithashtu një raketë balistike kundër anijeve (ASBM) mbi Detin e Kuq.

"Nuk ka pasur lëndime apo dëme të raportuara nga SHBA-ja, koalicioni apo anijet tregtare. U përcaktua se këto sisteme paraqisnin kërcënim të menjëhershëm për SHBA-në, forcat e koalicionit dhe anijet tregtare në rajon", thuhet më tej.

Houthit kanë vënë në shënjestër anije mallrash të lidhura me Izraelin në Detin e Kuq në shenjë solidariteti me Rripin e Gazës, i cili ka qenë nën sulme izraelite që nga 7 tetori i vitit të kaluar.

Deti i Kuq është një nga rrugët detare më të përdorura në botë për dërgesat e naftës dhe karburantit.

Në fillim të këtij viti, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, njoftoi nisjen e një misioni shumëkombësh, operacionin "Gardiani i Prosperitetit", për të kundërshtuar sulmet e Houthive./aa