Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF) tha se fëmijët në Gaza po përjetojnë makth për shkak të sulmeve izraelite që vazhdojnë prej 8 muajsh.

Drejtoresha rajonale e UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Adele Khodr në një deklaratë nga llogaria e saj në median sociale X bëri një vlerësim lidhur me situatën e fëmijëve në Gaza.

"Në 10 ditët e fundit kemi parë fotografi të fëmijëve të djegur në pjesë të ndryshme të qytetit Rafah. Krahas kësaj forcat izraelite kanë kryer pa asnjë paralajmërim paraprak sulm të tmerrshëm ndaj të zhvendosurve ose një shkolle të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt në kampin e refugjatëve Nuseirat në të cilën ndodheshin civilë", tha Khodr.

Ajo vuri në dukje se në sulmin në Nuseirat humbën jetën dhe shumë të tjerë ndërsa u plagosën të paktën 35 persona. "Të gjitha këto kanë ndodhur vetëm në 10 ditët e fundit. Me të vërtetë fëmijët në Gaza po përjetojnë makth për shkak të sulmeve që vazhdojnë prej 8 muajsh që kanë lënë shkatërrim, dhimbje dhe vuajtje të madhe", tha Khodr.

"Sulmi i ndodhur së fundmi të rikujton edhe njëherë se në Gaza nuk ka vend të sigurt", theksoi Khodr duke shtuar se vdekjet e fëmijëve do të vazhdojnë para syve të botës nëse nuk merren masa urgjente për të ndaluar sulmet e Izraelit.

Në sulmin që ushtria izraelite kreu dje ndaj shkollës së UNRWA-së ku janë strehuar palestinezët e zhvendosur në kampin e refugjatëve Nuseirat në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, humbën jetën 40 persona, përfshirë 14 fëmijë dhe 9 gra./aa