Prej disa ditësh, një muzikante aziatike, me instrumentin e saj tradicional, po performon në rrugët më të frekuentuara të Durrësit, duke tërhequr vëmendjen e kalimtarëve të shumtë, turistë dhe banorë të qytetit buzë Adriatikut.

“Jam nga Hong Kongu dhe ky instrument quhet pipa, një instrument tradicional kinez. Nisa 10 vite më parë atje të luaja në rrugë, po shpejt lëviza në UK dhe Europë dhe tani shumicën e kohës jam në Ballkan”-shprehet Rosemary Yung, muzikante.

Shqipërinë dhe bukuritë e saj i zbuloi 2 vjet më parë. Gjithnjë duke interpretuar në rrugë. U kthye sërish në vendin tonë duke nisur nga Durrësi dhe sot ka zgjedhur të luajë pranë Forumit Bizantin, duke përfituar nga sfondi i veçantë historik.

“E zgjodha këtë vend për shkak të pamjes, skenës që krijon pas meje dhe është më fresk. Sot është shumë nxehtë nën diell dhe këtu ka dhe pemë.”

Ajo është një muzikante profesioniste. Luan pjesë tradicionale kineze, po dhe pjesë të njohura klasike europiane. I pëlqen shumë dhe të improvizojë. E kënaqur nga audienca e saj ballkanase, ajo tregon se të interpretuarit në rrugë ka dhe sfidat e veta.

“Audienca reagon mirë, veçanërisht gjatë natës dhe buzë detit. Po dhe nëse nuk reagon, nuk më intereson. Unë vazhdoj të luaj dhe ta shijoj. Audienca është më aktive në Ballkan, në Transilvani, Maqedoninë e Veriut ( në Bitola) dhe Bullgari në krahasim me vendet e Europës Perëndimore. Edhe në Francë. Më pëlqen Shqipëria dhe në Durrës është bukur. Këtu, kudo ndjen dhe influencën italiane.”

Për të, muzika është më shumë se një profesion; është një hobi, një pasion i thellë. Performancat e saj kanë sjellë një frymë të veçantë në rrugët e Durrësit, duke i dhënë qytetit dhe një prekje artistike ndërkombëtare. Por ajo ndjehet një njeri i lirë. Gjithnjë në lëvizje, në udhëtim për të ndarë me këdo muzikën e saj, teksa njeh kulturat dhe traditat e vendeve ku shkon./TopChannel