Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga atmosfera e Festivalit Ndërkombëtar të Karnavaleve në Korçë.
Ky festival ka çelur sezonin turistik në Korçë me rreth 400 pjesëmarrës.
E trashëguar ndër shekuj, festa e karnavaleve e shndërroi qytetin e Korçës në një paradë kostumesh dhe maskash të ndryshme dhe plot ngjyra ku kanë marrë pjesë 6 grupe nga vende të huaja.
Grupet e ndryshme pushtuan bulevardin e Korçës, duke parakaluar me madhështi në një paradë ku çdo pjesëmarrje shoqërohej me nga një fabul.
Personazhet e përrallave, ata mitik dhe të jetës reale sollën përmes paradave shumëngjyrëshe atmosferë fantastike që tërhoqi vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.
Kësaj feste i janë bashkuar edhe shqiptarët jashtë kufijve ndërsa pjesëmarrja e fëmijëve me kostumet dhe maskat e përzgjedhura nga ata e zbukuruan akoma më shumë këtë festë ndërkombëtare./ata