Në garë me kandidaten e rregullatorit audioviziv të Britanise së Madhe OFCOM, me shumicë votash, Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi është zgjedhur nën/Kryetare e Platformës Europiane të Enteve Rregullatore, EPRA.
Në mbledhjen e 59-të të EPRA-s, që zhvillohet sot në Roterdam të Holandës, Krasniqi ka marrë mbështetjen e shumicës së 52 autoriteteve anëtarë të EPRA-s, të pranishëm në këtë mbledhje. Me 28 vota pro Krasniqit, kundrejt 21 votave të dhëna për kandidaten britanike, Siobhan Walsh, kryetarja e AMA-s është zgjedhur për të qenë një nga nën/kryetarët e kësaj platforme. Presidente është Mari Vesland, kryetare e Autoritett Norvegjez të Medias (Medietilsynet).
Kjo është hera e parë që Shqipëria zgjidhet dhe përfaqësohet në nivele të tilla të larta në një platformë mbarëeuropiane.
"Jam vërtetë e nderuar për besimin që m'u dha, ka thënë Krasniqi në momentin e shpalljes së rezultatit të votimit. "Shqipëria është një vend i vogël, por kjo nuk ka të bëjë fare me përmasat e saj. Votën e sotme do t'a shihni në përkushtimin tim, profesional, energjinë dhe kontributin tim të plotë gjatë ushtrimit të kësaj detyre".
EPRA përbëhet nga 56 autoritete anëtarë nga 47 vende të Europës: 27 vendet anëtarë të BE dhe Mbretëria e Bashkuar; autoritetet e vendeve që aderojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian ku bën pjesë edhe Shqipëria, rregullatorët e vendeve kandidatë të mundshëm për BE dhe autoritete të vendeve të Partneritetit Lindor (EaP) me BE-në (Armeni, Azerbajxhan).
Në zbatim të Statutit të EPRA-s, Bordi Ekzekutiv i kësaj Platforme i përbërë nga Kryetari dhe 4 nënkryetarë dhe vepron si organi strategjik që drejton EPRA-n. Ndër të tjera, ky Bord përfaqëson Platformën në evente ndërkombëtare, propozon një strategji 3-vjeçare, harton programet vjetore të punës dhe aktivitetet përkatëse dhe merr vendime në lidhje me funksionimin e EPRA.
Me pjesëmarrjen e drejtuesve të lartë të enteve rregulatore europiane, përfaqësues të Komisionit Europian, Këshillit të Europës, Observatorit Europian Audiovizual, ERGA-s, përfaqësuesin e OSBE-së për Lirinë e Medias, të Rrjeti Global të Rregullatorëve të Sigurisë në Internet, kjo Asamble është përqëndruar në dy çështje aktuale, të rëndësishme të tregun audioviziv:
* Edukimi Mediatik dhe roli i tyre te zgjedhjet parlamentare europiane
* Futja me sukses e Inteligjencës Artificiale në proceset e punës së rregullatorëve të medias./Shqiptarja