Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë (MEPJ) ka thirrur në ministri ambasadorin e Serbisë në Tiranë, Slobodan Vukçeviq, mbi deklaratat e zëvendëskryeministrir serb, Aleksandër Vulin, referuar vizitës dhe takimit të kryeministrit Edi Rama me diasporën shqiptare në Greqi.

Në një njoftim nga MEPJ thuhet se në ministri është thirrur ambasadori serb, për të kërkuar sqarime për deklaratat e zv.kryeministrit Vulin.

"Ambasadori i Serbisë, Slobodan Vukçeviq, është thirrur në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku iu kërkuan sqarime në lidhje me deklaratat që zv.kryeministri Vulin ka bërë, referuar vizitës dhe takimit të Kryeministrit Rama me diasporën shqiptare në Greqi. Deklarata provokuese e zyrtarit serb është në kundërshtim me frymën e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në vendet e Ballkanit. Shqipëria është faktor i rëndësishëm që punon dhe kontribuon për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë dhe kjo është në thelb të bashkëpunimit edhe me Serbinë", thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, MEPJ pret reflektim të menjëhershëm, "në mënyrë që deklarata të tilla të dëmshme, të përsëritura të mos ndikojnë në marrëdhëniet tona, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt fqinjësisë së mirë dhe integrimit evropian".

Dy ditë më parë në media u raportua se Vulin, ka komentuar takimin e kryeministrit Edi Rama me shqiptarët në Greqi, duke u shprehur se “Shqipëria e madhe mund të ndalet vetëm nga serbët dhe bota serbe”./aa