Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) prezantoi një raport të titulluar “Kodi i Sjelljes së Deputetëve”, në të cilin paraqet një analizë të përputhshmërisë së draft-Kodit të Sjelljes së Deputetëve të propozuar sipas parimeve kushtetuese, Rregullores së Kuvendit dhe standardeve parlamentare dhe demokratike.

Naim Jakaj, hulumtues i lartë i Institutit të Kosovës për Drejtësi, tha se Kuvendi i Kosovës në punën e tij është përballur me fjalime joparlamentare, seksiste, raciste dhe homofobike, si dhe ka pasur edhe dhunë fizike.

“Janë të ditura seanca plenare e 13 korrikut 2023, dhuna fizike që është përdorur mes kabinetit qeveritar dhe deputetëve për shkak të një fotografie në foltore. Nuk do të duhej të ishte ajo sjellje edhe nga ana e zëvendëskryeministrit, por edhe nga ana e deputetëve të opozitës parlamentare. Deputetët kanë të drejtën që për çështje të caktuara të bëjnë ndonjë aksion simbolik i cili nuk e cenon jetën ose trupin e deputetëve të tjerë”, tha Jakaj.

Gjatë prezantimit të raportit, Jakaj tha se Komisioni për Legjislacion i propozoi Kuvendit miratimin e Kodit të Sjelljes së Deputetëve, i cili synon të evidentojë sjelljet e papranueshme të deputetëve dhe të specifikojë masat për një sjellje të tillë. Është paraparë edhe formimi i Këshillit të Etikës për zbatimin e këtij kodi.

Sipas Jakajt, drafti i propozuar i Kodit ka mangësi, kështu që Instituti i Kosovës për Drejtësi ka paraqitur një sërë rekomandimesh për përmirësimin e draftit të propozuar në raportin e tij.

Jakaj tha se drafti i propozuar përmban si sanksione përjashtimin nga seancat dhe gjoba financiare, por kjo mund të rrezikojë përfaqësimin e qytetarëve nga përfaqësuesit e zgjedhur nga populli.

“Përjashtimi i deputetëve nga tri seancat e ardhshme plenare është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, sepse, sipas saj, deputeti mund të largohet nga seanca në të cilin ay kryen shkelje, por jo edhe nga seancat e radhës, siç është në rastin konkret me këtë draft-kod”, tha Jakaj, duke shtuar se masat e tilla mund të keqpërdoren nga shumica parlamentare me qëllim të deformimit të shumicës në Kuvend.

Ai kundërshtoi edhe sanksionet financiare të parashikuara në draft, të cilat lejojnë uljen deri në 50 për qind të pagës bazë, gjë që është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.

Në raport theksohet se Kodi nuk parashikon mundësinë e ankesës të deputetëve për sanksionet e vendosura, gjë që nuk është në përputhje me Kushtetutën. Gjithashtu u theksua se Kodi përfshin në mënyrë të panevojshme dispozita ligjore për raportimin e pasurisë, dhuratave dhe konfliktit të interesit, ndërkohë që Këshilli i Etikës duhet të jetë i barabartë mes qeverisë dhe opozitës, përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Instituti i Kosovës për Drejtësi i propozon Kuvendit që në draftin e propozuar të Kodit t’i përfshijë vërejtjet e lartpërmendura dhe vetëm më pas t’ia kalojë Kuvendit për votim./aa