Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha sot se Aleanca është e gatshme të mbrohet nga çdo kërcënim.

 

“Ne i dërguam një mesazh të qartë Moskës dhe Minskut, se NATO është këtu për të mbrojtur çdo aleat dhe çdo centimetër të territorit të saj”, tha Stoltenberg pas takimit me liderët e shtatë anëtarëve të Aleancës në Hagë, raporton Reuters.

 

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje me efektet e zhvendosjes së trupave të grupit paraushtarak Wagner në Bjellorusi, ai tha se ishte shumë herët për të spekuluar për këtë.

 

“Është shumë herët për të nxjerrë ndonjë përfundim në lidhje me pasojat e faktit që Prigozhin u zhvendos në Bjellorusi dhe se ka shumë të ngjarë që disa nga trupat e tij të vendosen gjithashtu në Bjellorusi”, tha Stoltenberg.

 

Nga ana tjetër, presidenti polak Andrzej Duda tha se NATO duhet të japë një përgjigje të mprehtë për transferimin e trupave të Wagner.

 

“Është vërtet serioze dhe shumë shqetësuese dhe ne duhet të marrim vendime shumë të prera. Kërkon një përgjigje shumë, shumë të mprehtë nga NATO”, tha Duda pas një takimi me krerët e tjerë të NATO-s në Hagë.