Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh sot se, “Shqipëria mbetet vendi më pak konkurrues në rajon, me një diferencë shumë të madhe me të parafundit”.

Në një konferencë për shtyp Meta theksoi se, eksportet shqiptare kanë shënuar tashmë,  nivelin më të ulët historik në vitin 2023 në 8.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, sipas statistikave zyrtare.

“Eksportet shqiptare janë disafish më të ulëta, krahasuar me vendet e rajonit, ku Serbia ka një nivel në 35.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, pra nga 8.6% që e ka Shqipëria, Bosnjë Hercogovina e ka 41.6%, nivelin e eksporteve në raport me PBB., nga 8.6% që e ka Shqipëria, dhe Maqedonia e Veriut e ka 57.0%. nivelin e eksporteve në raport me PBB., ku Shqipëria e ka vetëm 8.6%”, nënvizoi Meta.

“Eksportet shqiptare u ulën në rreth 10% në vitin 2023 krahasuar me vitin 2022. Ndërsa importet u ulën në rreth 8% në vitin 2023 krahasuar me vitin paraardhës, 2022”, shtoi Meta.

Ai theksoi se, Shqipëria në vitin 2023 eksportoi më pak drithra, fruta, erza, fara vajore, përgatitje të mishit, sheqerna dhe konserva, duhan dhe lëkurë, minerale, plehra, kimikate, gurë dhe çimento.

“Ecuria e treguesve të tregtisë së jashtme në 4-mujorin e parë të vitit 2024 tregon një përkeqësim të vazhdueshëm të eksporteve. Në periudhën janar–prill 2024, eksportet pësuan një rënie shumë herë më të lartë krahasuar me periudhat e mëparshme. Në këtë periudhë eksportet u ulën në rreth minus 17%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023”, tha Meta.

Po kështu, sipas tij, ecuria e importeve tregon  se në periudhën janar-prill të vitit 2024, nuk ka rritje të konsumit të produkteve të importit për konsum.

“Përkeqësimi i treguesve të tregtisë është edhe një nga arsyet pse Partia e Lirisë e ka konsideruar, rritjen e eksporteve si një nga pesë prioritetet kryesore të saj, për ta shndërruar Shqipërinë nga një gropë importi, në një fuqi eksportuese”, u shpreh Meta.

Ai theksoi se, “Partia e Lirisë angazhohet për mbështetje të aktiviteteve prodhuese dhe eksportuese për të arritur mbi nivelin e eksporteve 50 % të PBB, me mbështetje të plotë në infrastrukturë (toka, rrjete inxhinjerike, rrugë), çlirim i administratës nga korrupsioni dhe nepotizmi në mënyrë të veçantë, si dhe vendosja e saj totalisht në shërbim të investitorëve dhe biznesit”./ata