Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe deputetja e grupit parlamentar “Demokraci dhe Integrim”, Mesila Doda do të jenë pjesë e Komisionit të Posaçëm të ngritur në Kuvendin e Shqipërisë kundër dezinformimit.

Dy deputetët e opozitës janë të vetmit që i janë bashkuar komisionit të propozuar nga mazhoranca socialiste, që ka në fokus koordinimin dhe mbikëqyrjes për të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimit dhe format e tjera të mbikëqyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit.

Lidhur me vendimin për të mos ndjekur linjën e opozitës, që ka bojkotuar deri më tani votimin dhe marrjen pjesë në komision, deputeti Mediu ka sqaruar se opozita duhet të jetë aktive në këtë çështje që është me mjaft interes, duke parë dhe kontekstin gjeopolitik ku ndodhet rajoni.

“E kam parë si një çështje interesi, sidomos në kuadër të zhvillimeve në rajon. Shqipëria, por edhe vende të tjera, janë nën sulme hibride të Kinës, Iranit, Rusisë. Kjo çështje s’duhet të jetë domain vetëm i ekzekutivit, por edhe i parlamentit”, u shpreh Mediu.

“Mendoj që çështje të sigurisë janë çështje primare. Janë kërcënimet më të mëdha që ka sot faktori shqiptar në Ballkan. Ne duhet t’i marrim parasysh. Rusia ka kohë që ka nisur luftën e vetë kundër Ballkanit dhe kundër shqiptarëve. Janë disa forma të luftës hibride, influenca politike, kontrolli i medieve, inteligjenca apo të tjera elementë. Jo vetëm i Rusisë, por edhe Kinës e Iranit, që janë tre aktorë të një boshti tjetër gjeopolitik, që janë kundër interesit të shqiptarëve kanë tashmë një aktivitet shumë intensiv në Ballkan. Një opozitë që ka kontributin e madh të bërit të Shqipërisë anëtare të NATO-s, duhet të jetë shumë aktive në raport me këtë çështje”, tha Mediu.

Komisioni në fjalë do të drejtohet nga deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe. Ndërkohë nga radhët e PS do të jenë anëtarë: Etilda Gjonaj, Bledar Çuçi, Pandeli Majo, Mimi Kodheli dhe Enslemvera Zake. Opozita nuk ka paraqitur emra deri më tani, ndërsa vetëm Mediu dhe Doda kanë pranuar të jenë pjesë e këtij komisioni./ata