Këshilli bashkiak i Himarës zgjodhi sot si kryetar të komanduar të bashkisë bregdetare, Arqile Bollanon.

Bollano ishte në garë me nënkryetarin e bashkisë Himarë, Pervin Gjikuria, i cili gjatë mbledhjes deklaroi tërheqjen nga gara.

Mbledhja e këshillit bashkiak u shoqërua me debate dhe diskutime për zgjedhjen e kryetarit të komanduar të bashkisë.

Kryetari i këshillit bashkiak, Dhimitër Kapaj tha se “ne jemi përballë këtij fakti, pasi edhe në mbledhjen e mëparshme ne kemi pasur këto debate. Por ne duhet të marrim një vendim për të zgjedhur një kryetar për Himarën. Himara nuk është vetëm e jona. Unë rekomandoj që të zgjedhim, ligji e përcakton, janë dy nënkryetarë, të dy burra të nderuar”, tha ai.

Kapaj u shpreh se “ushtrimi i mandatit fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kandidati pasardhës”.

Kjo mbledhje vjen pas largimit së Blerina Balës nga ky post, e cila pak ditë më parë ka depozituar dorëheqjen pranë këshillit bashkiak nga drejtimi i bashkisë së Himarës.

Blerina Bala u zgjodh kryetare e komanduar për Himarën nga këshilli bashkiak më 29 mars pasi dy kryetarët, ai në detyrë Jorgo Goro dhe i zgjedhuri Fredi Beleri, ndodhen në burg.

Himara pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja vetëm pas një vendimi përfundimtar nga Apeli i Posaçëm për Fredi Belerin, i dënuar me dy vite burg nga GJKKO, pasi u kap duke blerë vota në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023./ata