Kryeministri Edi Rama njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, vijoi sot takimet elektorale në Malësi të Madhe, nga ku theksoi se Shqipëria gjendet në një kthesë të madhe edhe se e ka të domosdoshme që të vazhdojë vetëm përpara, të mos ndalet dhe të mos kthehet më mbrapa.
Bashkë me kandidatin PS-së në bashkinë e Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, Kryeministri Rama u ndal te arritjet në qeverisjen nga e majta, ndërsa ftoi qytetarët të votojnë PS-në për të ecur përpara.
“Shqipëria gjendet në një kthesë të madhe edhe e ka të domosdoshme që të vazhdojë vetëm përpara, të mos ndalet dhe të mos kthehet më mbrapa. Kurrë Shqipëria nuk ka qenë më e respektuar se sot në sytë e botës, nuk ka qenë më e barabartë në tryezë. Kush do ta imagjinonte pak vite më parë se Shqipëria do të kishte një vend, ulur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, bashkë me fuqitë më të mëdha të kësaj bote, që Shqipëria do të drejtonte OSBE. Do të mirëpriste samitin e parë në historinë e Bashkimit Europian, jashtë kufijve të Bashkimit Europian”, deklaroi ai.
Dhe këto, theksoi Kryeministri, nuk i ka sjellë bukuria e natyrës se ajo ishte këtu para se të lindnim ne.
“Por Shqipëria kur ne kemi marrë detyrën, ishte një vend që trajtohej si vend i kategorisë së 2, nuk përfaqësohej me dinjitet. Ata që ishin para nesh dhe përfaqësonin Shqipërinë ulnin kokën para fqinjve dhe të huajve. Ndërkohë, sot i kërkojnë shqiptarëve të bashkohen me ta dhe tu bëjnë karshillëk SHBA-ve. E kuptoni se çfarë skandali i madh është ky dhe çfarë tradhtie është kjo për të gjithë ata që besuan te PD, te liria, dhe i shkuan mbrapa PD-së për shumë vite. Ndërkohë që për ne, nuk ka demokrat e socialistë, kur është puna për të bërë detyrën. Ka vetëm qytetarë të barabartë dhe ka të drejta të barabarta të të gjitha komuniteteve”, u shpreh Rama.
Njëkohësisht Rama iu përgjigj edhe akuzave të ngritura për mos investime në veri.
“S’kam si të mos e dua veriun, sepse veriut i dedikohem një pjesë të madhe të asaj që jam, sepse pa shumë prej atyre figurave që veriu ka nxjerrë, nuk do të isha ky që jam. Unë një pjesë të gjakut tim e kam nga Veriu. Gjyshja ime është këtu, nga Shkodra dhe unë me kulturën dhe traditën shkodrane jam rritur. Dhe nga ana tjetër, nëse kjo do të ishte e vërtetë atëherë shumë gjëra që kemi bërë nuk do të ishin bërë”, tha Kryeministri.