Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha publikoi sot një përmbledhje të propozimeve kryesore që u prezantuan në Kuvendin Programor të PD-së.

Basha u shpreh se “kjo është një ofertë transformuese për të gjitha shtresat e shoqërisë dhe grupet ekonomike, përmes të cilës tejkalohet situata në të cilën ndodhet vendi, për shkak të keqqeverisjes dhe korrupsionit”.

Kreu i demokratëve theksoi gjithashtu se përkushtimi i PD është për qytetarët dhe jo te konfliktet e politikës së ditës.

“Përkushtimi ynë për ndërtimin e alternativës që shqiptarët presin, është i gjithanshëm.
Angazhimi ynë është të jemi zëri i qytetarëve, jo përcjellësit e konflikteve të politikës së ditës. Njerëzit presin më shumë, Partia Demokratike e Shqipërisë ofron më shumë”, tha Basha.

Sipas tij, “ky program ambicioz përmban zgjidhje transformuese për të gjitha shtresat e shoqërisë dhe grupet ekonomike”.

“Mirëqeverisja, antikorrupsioni, siguria, prona, të përndjekurit, familja, rinia, pensionistët, sipërmarrja, bujqësia janë pjesë e vizionit reformues të ekipit tonë, të bindur se Shqipëria meriton më shumë se bataku në të cilin ndodhet për shkak të keqqeverisjes dhe korrupsionit”, tha Basha.

Disa prej propozimeve kryesore të programit të PD-së: 

1. Fondi për mirëqenien e famljes. PD propozon 2 000 € për çdo bebe; 20 000 € për fëmijën e tretë; 30 000 çifte të reja shqiptare marrin subvencionim të plotë të interesave për kredi për shtëpinë.

2. Mendje e shëndoshë, trup i shëndoshë. Programi propozon drekë për nxënësit në gjithë shkollat 9-vjeçare dhe të mesme; shkollë gjatë gjithë ditës, kurse kompjuteri, gjuhë të huaj, klasa arti dhe klasa sportive deri në orën 16:00.

3. NEXTGEN
Trajnim/ Praktike pune e paguar 1-vjeçare për 10 000 të rinj pas shkollës së mesme; 4 Kampuse për 25 000 të rinj për Teknologjinë e Informacionit dhe programimit.

4. Taksë e sheshtë 9%. PD propozon tatim fitim 9%; Profesionet e lira 9%; Tatim për të ardhurat personale 9%’ Dividenti me taksën e sheshtë 9%.

5. Reforma e pronës. PD propozon kthim të menjëhershëm të pronës aty ku është e lirë; Kompensim me vlerë tregu ku është zënë; Lëshimi i obligacionit/ bonove nga shteti, që paguhen çdo vit me 1/20 e vlerës; Regjistrim i pronave me parimin Uti Posidetis.

6. Mbështetje për familjet fermere. Programi parashikon që çdo vit të akordohen 100 milionë euro subvencion direkt për bujqësinë dhe blegtorinë; 50 milionë euro në infrastrukturë, për mbështetje të drejtpërdrejtë (Përfitues 150 mijë fermerë)

7. Rritje e pensioneve. Parashikohet bonus periodik, statusi i të përndjekurit me vlerë monetare të barabartë me statusin e ish-ushtarakut.

8. Krijohet xhandarmëria kombëtare. Propozohet që 5000 djem dhe vajza të moshës 18-22 vjeç që angazhohen në 4 vite shërbim aktiv në Forcat e Armatosura, bashkë me trajnimin marrin një profesion, ose diplomohen me shpenzimet e shtetit. (Paguhen si rezervistë deri në moshën 45 vjeç)

9. Gjykata e Auditit. Shteti merr përsipër të zerojë çdo detyrim të qytetarëve në problematikat me natyrë administrative në raport me institucionet e shtetit.

10. Udhëtim pa viza në Amerikë brenda mandatit të parë./ata