Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë siguron se do të ketë furnizim të plotë me energji elektrike përgjatë sezonit veror në të gjithë territorin.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë mblodhi sot në një takim drejtuesit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, për të diskutuar për planin e masave për furnizimin me energji elektrike gjatë sezonit veror.

“Fluksi i turistëve ka nisur që prej fillimit të majit dhe presim të mbyllet në tetor. Kjo kërkon masa konkrete për të siguruar furnizim pa ndërprerje me energji në të gjithë territorin”, tha Balluku.

Balluku bëri të ditur se vihet re se ndërprerjet janë gjithnjë e më të shkurtra dhe janë kryesisht nga remonte të kontrolluara, kjo tregon që edhe rrjeti ndodhet në një gjendje më të mirë.

Kreu i OSSH-së, Blendian Dalipi informoi se deri tani është kryer remonti i plotë në 99 % të linjave të tensionit të lartë, ndërsa vazhdohet me remonte të thella në linjat e tensionit të mesëm dhe të ulët.

Ai siguroi se brenda 20 qershorit do të përfundojë i gjithë remonti.

“Në të gjithë territorin do të jenë në gatishmëri 1128 punonjës dhe 88 automjete për t’iu përgjigjur çdo avarie. Nga ana tjetër do të hapen edhe 30 pika shërbimi, kryesisht në zonat bregdetare”, deklaroi Dalipi./ata