Në Shkodër, një nga bashkitë pilot të zbatimit të Garancisë Rinore dhe të programit EU4Youth, u organizua një takim me partnerë lokalë për të diskutuar mbi statusin e zbatimit të Garancisë Rinore.

Garancia rinore synon që çdo person i ri nën 30 vjeç të marrë një ofertë pune cilësore, vazhdim të arsimimit, praktikë pune, ose trajnim brenda katër muajve. Projekti BE për Rininë EU4Youth, i prezantuar së fundmi, do të sigurojë zbatimin e Garancisë Rinore si dhe do të forcojë mekanizmat e mundshëm për bashkëpunimin dhe koordinimin e aktorëve vendor, për të përmbushur objektivat e Garancisë Rinore, bazuar në vlerën e shtuar të secilit.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe institucionet e linjës, organizatat rinore, shoqatat e biznesit si edhe shkollat profesionale.

Daniela Selimi, drejtuese e Organizatës Dimension Human tha se, “Sigurimi i një shërbimi cilësor për aftësimin dhe këshillimin në karrierë, për të rinjtë, është thelbësor. Kjo do të mundësonte që të rinjtë të shohin një të ardhme cilësore e të sigurt për ta në Shqipëri. Jam e lumtur që kjo çështje do të adresohet përmes Garancisë Rinore dhe projektit EU4Youth.”

Rozafa Zmijani, drejtoreshë e Drejtorisë Rajonale të Punësimit, AKPA, Shkodër, u shpreh se, “projekti do të na ndihmojë të krijojmë një mekanizëm të strukturuar që siguron bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e të gjithë aktorëve vendorë, për të lehtësuar aksesin në tregun e punës të të rinjve jo në punësim, arsim apo trajnim.”

Elsid Sekja, anëtar i Këshillit Vendor Rinor, theksoi se “objektivi i Garancisë Rinore për të siguruar një ofertë cilësore për të rinjtë inaktivë brenda 4 muajve, do të mund të arrihet vetëm nëse sigurohet bashkëpunim efektiv mes aktorëve vendorë. Jam i kënaqur që projekti do të na mbështesë për këtë.”

Projekti “BE-ja për Rininë” financohet nga BE dhe zbatohet nga UNDP dhe UNICEF. Projekti synon të mbështesë harmonizimin e politikave të punësimit të rinisë në Shqipëri me rekomandimet e Këshillit të Europës për Garancinë Rinore, duke siguruar qasje universale për të rinjtë që nuk janë të përfshirë në arsim, aftësim apo punësim (NEET)./ata