Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni është shumë përpara rivalëve të saj, pasi italianët, estonezët, letonët, maltezët, çekët dhe sllovakët shkojnë të votojnë sot në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
Meloni mund të jetë gati të veprojë si kingmaker për presidentin e ardhshëm të Komisionit Evropian, nëse partia e saj ”Fratelli d’Italia” (FdI) do të korrin një sukses të dukshëm.
Presidentja aktuale e Komisionit, Ursula von der Leyen, i është afruar hapur Melonit me shpresën për të fituar votat konfirmuese të grupit të Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR), një bllok pan evropian, por pak euroskeptik, që Meloni drejton tani dhe në radhët e të cilit kandidatët e FdI-së synojnë të anëtarësohen nëse zgjidhen në Parlamentin Evropian.
Si vendi i tretë më i populluar i BE-së, Italia mund të dërgojë gjithsej 76 delegatë në Parlamentin Evropian me 720 vende duke e vënë këdo që fiton shumë atje në një pozicion të fuqishëm në nivel të BE-së.
Sipas një sondazhi të sondazheve, përpiluar nga faqja e lajmeve ”Politico”, FdI-ja konservatore është në vendin e parë me 27%, gjashtë pikë përpara Partisë Demokratike të qendrës së majtë.
E shtuna shënon ditën e tretë të katër zgjedhjeve në mbarë BE-në, në të cilat vende të ndryshme votojnë në ditë të ndryshme.
Është dita e votimit për Letoninë, Maltën dhe Sllovakinë; dita e dytë dhe e fundit e votimit për Republikën Çeke, dhe e para nga dy për Italinë dhe Estoninë.
Kryeministri nacionalist i krahut të majtë të Sllovakisë, Robert Fico deklaroi se do të luftonte deri në fund, pasi i mbijetoi një atentati më 15 maj që tronditi Evropën.
Fico u qëllua disa herë në një sulm që duket se ka qenë i motivuar politikisht.
Kryeministri i rikuperuar publikoi një video të mërkurën në të cilën tha se “një aktivist i opozitës sllovake” kishte kryer atentatin ndaj tij, duke shtuar se nuk kishte asnjë arsye për të besuar se sulmi ishte akt i një “të çmenduri të vetmuar”.
Partia SMER e Ficos kryeson në sondazhe me 23%, dy pikë përpara partisë liberale ”Sllovakia progresive”.
Rezultatet e para paraprake që tregojnë përbërjen e Parlamentit të ardhshëm Evropian do të vijnë vetëm të dielën vonë në mbrëmje, pasi çdo anëtar i bllokut 27-vendesh të ketë votuar.
Këto do të përditësohen gjatë orëve të para të së hënës./ata