Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba pretendon se Rusia kur të gjejë mundësinë do të tentojë të neutralizojë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.

 

Në një deklaratë për gazetën gjermane "Bild", ministri Kuleba lidhur me pretendimet për atentat kundër Zelenskyy-t, tha se "Nëse rusët do të gjejnë mundësinë për të vrarë presidentin Zelenskyy, ata do të tentojnë të bëjnë një gjë të tillë".

 

Në përgjigje ndaj ish-presidentit rus Dmitry Medvedev i cili ka bërë thirrje për vrasjen e Zelenskyy-t, ministri ukrainas Kuleba deklaroi "Medvedev duhet të pijë më pak 'vodka' para se të hyjë në Telegram. Kjo është gjëja e vetme që mund të them për këtë çështje. Nuk mendoj se do t'ia vlejë të komentoj rreth tij. Ai ka një rol të caktuar në komunikimin strategjik të Rusisë".

 

Kuleba tërhoqi vëmendjen se Gjermania ka dhënë mbështetje me armë dhe municione për Ukrainën. "Sigurisht që në aspektin taktik kemi nevojë për më shumë armë për të fituar luftën. Kemi nevojë kryesisht për municione, artileri për distanca të gjata. Kemi nevojë për automjete të blinduara, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe të gjitha këto Gjermania i ka dhe i ka dorëzuar. Gjermania mund të sigurojë më shumë", tha ai.

 

Duke theksuar pritshmëritë e vendit të tij lidhur me kërkesën për avionët luftarakë F-16, Kuleba tha se avionët F-16 janë ndër më të mirët në treg.

 

"Në treg ka avionë luftarakë të llojeve të ndryshme, por sipas të gjitha përllogaritjeve F-16 është më i miri. Për këtë arsye të fokusohemi tek F-16. Pritshmëria jonë nga Gjermania është të luajë rol aktiv në formimin e koalicionit të vendeve. Kush do ta bind SHBA-në (në çështjen e F-16)? Gjermania mund të bëjë shumë gjëra. Mos e nënvlerësoni cilësinë e diplomacisë gjermane", shtoi Kuleba.

 

Shefi i diplomacisë ukrainase, Kuleba foli edhe për çështjen e anëtarësimit të vendit të tij në NATO. "Ukraina duhet të jetë anëtare e NATO-s nëse Gjermania dëshiron një Evropë të sigurt dhe të begattë. Kjo është rruga e vetme e kësaj. E dini që anëtarësimi i Ukrainës në NATO gjatë luftës nuk mund ta parandalojë këtë luftë, por do të parandalojë luftërat tjera", tha ai.

/AA