Ndonëse jo në vend adekuat, me shumë telashe në sigurimin e hapësirave të cilat veçse janë përkohësisht në pronësi për të tjera ngjarje, edicioni i 24-t që vjen me moton “Përgjigjja është libri” e gjen edhe një tjetër herë me imazhin krejtësisht të njëjtë, por me vizitorë e lexues më pak se vjet. Të paktën këto janë “shifrat” sipas botuesve që shkakun për rënien e numrit të vizitorëve e gjejnë edhe te migrimi pas liberalizimit të vizave.

Tek në ditën e tretë është vërejtur prezencë më e madhe e vizitorëve në Panairin e Librit në Prishtinë. Të premten, grupe të organizuara fëmijësh nga shkolla të ndryshme kanë qenë kryesisht ata që kanë mbushur hapësirat. Blerjet janë tjetër çështje. Botuesit shprehen se interesimi ka rënë në raport me vitin e kaluar, ndonëse edhe në edicionin paraprak ishin shprehur se ka rënie të numrit të lexuesve. Sipas organizatorëve, Panairi është më shumë festë sesa thjesht ambient ku libri tregtohet. 

Pallati i Rinisë dhe Sporteve është adresa e përhershme e edicioneve të Panairit të Librit në Prishtinë. Panairi është një ngjarje e pashmangshme në kryeqytet. Janë shumë komponentë që e bëjnë të tillë: prej vëmendjes mediatike që merr e deri te hapësira se ku mbahet, plateja bashkë me dy salla e Pallatit të Rinisë dhe Sportit.

Ndonëse jo në vend adekuat, me shumë telashe në sigurimin e hapësirave të cilat veçse janë përkohësisht në pronësi për të tjera ngjarje, i 24-ti që vjen me moton “Përgjigjja është libri” e gjen edhe një tjetër herë me imazhin krejtësisht të njëjtë, por me vizitorë e lexues më pak se vjet. Të paktën sipas botuesve. 

Fidan Imeri, menaxher i shitjes në Botimet KOHA ka thënë se kjo rënie nuk ka ndikuar në shitje. Ka thënë se libri më i kërkuar është “Viti i qirinjve” i Veton Surroit. 

“Vizitorë ka pasur më pak, por ne si shtand jemi gjithmonë standard. Në përgjithësi vizitorë nuk ka pasur shumë, por ne kemi pasur shitje pasi kemi ofertë të mirë dhe libri i Veton Surroit – ‘Viti i qirinjve’ – ka tërhequr shumë blerës”, ka thënë Imeri. 

“Vese në peshojë” i Ibrahim Kadriut dhe “Fadil Vokrri – Legjenda që nuk shuhet kurrë” i Bekim Aliut, janë po ashtu pjesë të botimeve të reja. Bashkë me dy botime të vitit të kaluar, shtandi i Botimeve KOHA sivjet i ka ofruar lexuesit mbi 140 tituj e deri në 80 për qind zbritje. 

Artin Ahmeti nga shtëpia botuese “Artini” ka thënë se ka rënie të lehtë nga viti i kaluar. Kriza financiare e migrimi ka thënë se mund të jenë disa prej faktorëve. Kjo shtëpi botuese, në shtandin e së cilës përfaqësohen edhe disa të tjera, ka prezantuar sivjet rreth 40 tituj të rinj. 

“Është ende herët, zakonisht ditën e fundit të Panairit mund ta kemi një përgjigje e rezultat më të saktë. Këto janë ditët kur më së shumti frekuentohet dhe bëhet ndryshimi. Deri tash jemi pak a shumë si vitin e kaluar, kënaqshëm. Normalisht vërehet zbehje e vizitorëve. Besoj se ndikojnë shumë faktorë”, ka thënë Ahmeti. 

Se ka rënie e thotë prerazi Loreta Berhani nga shtëpia botuese “Pegi” nga Shqipëria. Edhe ajo ka përmendur migrimin pas liberalizimit të vizave si shkak për mungesë e vizitorëve e blerësve. 

“Rënie e dukshme është e lexuesit, rënie drastike. Në Tiranë ka shumë më shumë njerëz, edhe në ditët e para të Panairit”, ka thënë ajo.

Edhe Adriatik Duka, përfaqësues i shtëpisë botuese “Dituria” nga Shqipëria është pajtuar se ka rënie të interesimit për librin në raport me edicionin e kaluar. 

“Sa u përket vizitorëve, ka rënie të numrit, por nuk duhet thënë se nuk ka pasur blerës. Ka qenë numër i pakët i blerësve, por kush ka ardhur në Panair nuk ka dalë pa blerë një libër. Kanë qenë specifikë në përzgjedhje, por rënia në krahasim me popullatën ka qenë, ka pasur më pak vizitorë se vitin e kaluar”, ka thënë Duka. Ka bërë të ditur se kjo shtëpi botuese vitin e kaluar dhe këtë gjysmëvit kanë botuar afër 50 tituj. 

Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, ka thënë se ajo që duket si rënie e kthen Panairin në zanafillën e nisjes së tij – promovimin e librit dhe ndërgjegjësimin për rëndësinë e tij

“Në parim mund të duket si rënie e interesimit por kjo e kthen Panairin në atë për çfarë është. Kemi të bëjmë më shumë me një ndërgjegjësim të përgjithshëm në raport me rëndësinë e librit në jetën tonë sesa thjesht një ambient ku libri tregtohet si mall”, ka thënë ai. 

Zeneli që është edhe botues në shtëpinë botuese “Pema”, ka thënë se Panairi nuk është më dritarja e vetme për shitjen e librit dhe se sot është më shumë festë në raport me punën e botuesve e autorëve përgjatë një viti. 

“Përderisa në vitet e para të organizimit të Panairit kjo hapësirë ishte libraria e vetme e madhe për tregun e librit shqip në Kosovë, sot jetojmë në një laritet tjetër në sensin e asaj se libri qarkullon gjatë gjithë vitit dhe Panairi nuk shihet më si dritarja e vetme për shitjen e librit. Është më shumë një festë në raport me punën njëvjeçare të botuesve. Është edhe ftesë për të informuar lexuesit në raport me titujt që janë botuar përgjatë një viti dhe një kurorëzim i punës së botuesve, autorëve e gjithë punonjësve të librit”, ka thënë Zeneli. 

Janë rreth dy mijë tituj të rinj e rreth gjashtë mijë të botuar në vitet e fundit që presin blerësit nga rreth një qind botues. Me përvjetorë shkrimtarësh vendorë e të huaj po shënohet edicioni i 24-t që vjen me konstatimin “Përgjigjja është libri”. E premtja ka kaluar pa aktivitete, por oferta është aty, në pritje të lexuesve, deri të dielën./Tema