Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga tuneli i Llogorasë ku vijon puna për finalizimin e tij, duke bërë që bregdeti i jugut të jetë akoma më afër.

Tuneli i Llogorasë, një ndër veprat më të mëdha publike, afërsisht 20 km në jug të Vlorës, me vlerë investimi 142 milionë euro dhe me impakt të drejtpërdrejtë në gjithë ekonominë e vendit, po jetësohet me ritme të shpejta.

Deri tani ka përfunduar puna për betonimin e tunelit kryesor në të gjithë gjatësinë e tij, ndërsa po vijohet për për vendosjen e sistemit elektromekanik dhe sistemin e ndriçimit.

Paralelisht po punohet edhe për ndërtimin e qendrës së monitorimit të tunelit.

Tuneli kryesor, 7.70 m i gjerë dhe 4.70 m i lartë, do të jetë i veshur me beton dhe i pajisur me sistemet komplekse të drenazhimit, ventilimit, mbrojtjes kundër zjarrit dhe tymrave, ndriçimit, thirrjeve të emergjencës dhe sinjalistikës.

Gjithashtu tuneli është i pajisur në secilën anë me trotuare  si dhe me një sistem të kullimit të urave nëntokësore dhe atyre sipërfaqësore.

Përgjatë tunelit të trafikut ka 11 kalime lidhëse tërthore me tunelin e emergjencës, 5 janë për mjetet dhe 6 për këmbësorët./ata