Agroturizmat përfaqësojnë modelin e suksesit dhe zhvillimit të qëndrueshëm për ekonominë tonë dhe turizmin.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj solli sot shembullin e “The Chestnut Hill”, një agorturizëm i ngritur në zemër të bukurive natyrore të Tropojës.
“Ermali dhe Geri e nisën me një shtëpi të vjetër, duke arritur një vlerësim maksimal në booking me 9.6 pikë. Me synimin për ta çuar këtë vlerësim në 10 pikë, tani kanë 11 dhoma, sipas standardeve më të larta dhe ofrojnë shërbim të shkëlqyer gjatë gjithë vitit”, u shpreh Denaj.
Në zemër të bukurive natyrore të Tropojës, “The Chestnut Hill” ofron një menu të pasur me produkte autentike shqiptare, si mjalti i gështenjës dhe boronica.
“Ermali dhe Geri janë të vendosur për të zgjeruar agroturizmin dhe agropërpunimin, duke krijuar një zinxhir vlerash që rrit punësimin dhe vlerën e produkteve “Made in Albania”, theksoi më tej ministrja.
Denaj nënvizoi se, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural mbetet e vendosur në punën e saj për të mbështetur zhvillimin e agroturizmave në të gjithë vendin si mundësia më e mirë për të rritur ekonominë lokale dhe të ardhurat ekonomike të fermerëve e blegtorëve tanë./ata