Policia në Melburn të Australisë ndërhyri me gaz kundër mijëra demonstruesve të cilët protestonin kundër sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës.

Sipas "9 News", rreth 3 mijë persona morën pjesë në protestën me sloganin "Palestina e Lirë" në Melburn.

Policia, e cila erdhi në zonë për të shpërndarë demonstruesit, ndërhyri me gaz lotsjellës kundër mbështetësve pro-palestinezë të mbledhur në qendër të qytetit. Gjatë aksionit ka patur përleshje mes policisë dhe protestuesve.

Duke folur për mediat lokale, presidenti i Rrjetit Australian për të Drejtat Palestineze, Nasser Mashni deklaroi se gazi piper është përdorur përpara se të shpërthejnë tensionet mes policisë dhe protestuesve.

"Jam shumë i zhgënjyer nga policia që vendosi të përdorë gaz kundër mijëra protestuesve paqësorë që marshonin për drejtësi në Palestinë", tha Mashni.

- Janë thyer dritaret e Konsullatës Amerikane në Sidnej

Më tej thuhet se janë thyer 9 xhamat e Konsullatës Amerikane në Sidnej. Policia e shtetit të Uellsit të Ri Jugor tha se një trekëndësh i përmbysur, një simbol i përdorur nga mbështetësit pro-palestinezë, ishte vizatuar me bojë të kuqe në dyert e hyrjes së Konsullatës.

Policia e cila ka ekzaminuar pamjet e kamerës së konsullatës ka deklaruar se aksioni është kryer nga një person i panjohur i veshur me kapuç dhe maskë. Policia njoftoi se ka nisur hetimet për kapjen e autorit të ngjarjes.

Kryeministri australian, Anthony Albanese dënoi incidentin në një konferencë për media mëngjesin e sotëm dhe bëri thirrje për "debat dhe diskurs politik të respektueshëm"./aa