Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është pritur nga Kryeministri në detyrë i Bullgarisë, Dimitar Glavchev, gjatë qëndrimit të tij në Sofje të Bullgarisë.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, temat kryesore në këtë takim ishin "miqësia dhe partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë, marrëdhëniet e mira ekonomike dhe vullneti i dyanshëm për zgjerimin e tyre".
"Deri më tani kemi të nënshkruara tetë marrëveshje dypalëshe dhe disa tjera që presin të finalizohen. Me synim fuqizimin e raporteve ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare, në qershor të vitit të kaluar u themelua Oda Ekonomike Kosovë-Bullgari me seli qendrore në Sofje. Këtë vit, planifikohet të organizohet forum i përbashkët i bizneseve të Kosovës dhe Bullgarisë", thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit për këtë takim.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti dhe kryeministri në detyrë i Bullgarisë Glavchev, diskutuan edhe për situatën e sigurisë në kontinentin e Evropës dhe atë në rajon, dhe folën për nevojën e bashkëpunimit sa më të thellë ndërmjet shteteve mike e partnere dhe ndërmjet shoqërive demokratike.
"Bullgaria kishte luajtur një rol të rëndësishëm për ne në vitin 1999 duke hapur hapësirën e saj ajrore për aeroplanët e NATO-s në fushatën kundër Serbisë, që i dha fund gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë. Ajo vazhdon të japë kontribut të rëndësishëm në sigurinë e vendit tonë me pjesëmarrjen dhe praninë e trupave të saj në Kosovë në kuadër të misionit të KFOR-it", ka thënë Kurti sipas komunikatës.
Në vizitën e tij të parë në Bullgari, kryeministri Kurti u shpreh i nderuar me pritjen nga homologu tij dhe falënderues për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë.
Bullgaria njohu pavarësinë e Kosovës në mars të vitit 2008, vetëm disa javë pas shpalljes së saj, ndërkaq sivjet shënohet 15-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dypalëshe./aa