Në Shqipëri vazhdojnë protestat për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", ndërkohë edhe protesta e njëmbëdhjetë është shoqëruar me tensione dhe incidente.

Protesta është organizuar përsëri me thirrjen e përfaqësuesve të dy partive opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe Partisë së Lirisë (PL), si dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe aktivistëve, me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Disa nga protestuesit dogjën goma dhe sende të tjera, hodhën tymuese, vezë dhe sende të tjera ndaj punonjësve të policisë dhe selisë së bashkisë si dhe u përplasën me forcat e policisë.

Ndërkohë, protestuesit kanë pretenduar se gjatë tensioneve ndaj tyre është hedhur gaz lotsjellës nga forcat e policisë dhe sipas tyre ka pasur edhe të lënduar.

Zv.kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe përfaqësues i opozitës, Dorjan Teliti, gjatë fjalës në protestë u shpreh se nuk dorëzohen, sepse sipas tij janë me të drejtën dhe me qytetarët.

"Ne nuk dorëzohemi për të njëmbëdhjetën herë dhe sa herë të jetë e nevojshme, pasi ne e dimë që e ardhmja jonë dhe e fëmijëve tanë qëndron në shpresën e vetme për ta kthyer Tiranën dhe Shqipërinë në shinat e demokracisë. Diktaturën ne nuk e pranojmë. Të bashkuar për një të ardhme më të mirë, sepse të bashkuar ne mund ia dalim që të fitojmë", tha Teliti.

Teliti theksoi se qëllimi i ndryshimit të madh arrihet vetëm me protestë të qëndrueshme, periodike dhe me protestë pa kthim pas. Në javët e fundit në Shqipëri janë organizuar protesta për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", duke u shoqëruar edhe me tensione dhe incidente.

Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të këtij viti të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "Refuzimi për deklarimin, mos deklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive"./aa