Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, përcolli “dhimbje ekstreme” dhe dënim për vdekjen e civilëve palestinezë pas sulmit vdekjeprurës të Izraelit në kampin e refugjatëve Nuseirat për të liruar katër pengje.

“Sekretari i Përgjithshëm shpreh dhimbjen e tij ekstreme dhe dënimin e tij për vdekjen e qindra civilëve palestinezë dhe plagosjet e qindra të tjerëve që ndodhën në kontekstin e operacionit”, u tha gazetarëve zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric gjatë një konference shtypi.

Duke cituar informacionin e marrë nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) në terren, Dujarric tha se spitalet në rajon janë tejmbushur pas operacionit të Izraelit.

Duke përsëritur thirrjen për të gjitha palët për të mbrojtur civilët, Dujarric tha se çdo humbje jetësh është tragjike.

Duke iu përgjigjur pyetjes së Anadolus mbi raportimet se ushtarët izraelitë hynë në kamp me kamionë ndihmash gjatë operacionit, Dujarric tha se nuk kanë informacion konkret në lidhje me këto raportime.

Ai, megjithatë, theksoi se pavarësia e operacioneve humanitare dhe punonjësve të ndihmës duhet të respektohet në mbarë botën.

Të shtunën, ushtria izraelite liroi katër pengje gjatë një operacioni ushtarak në kampin e refugjatëve Nuseirat në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

Gjatë operacionit, të paktën 274 palestinezë u vranë dhe 700 të tjerë u plagosën në një bombardim të kampit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm.

Më shumë se 37.120 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe mbi 84.700 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

Tetë muaj pas fillimit të luftës izraelite, pjesë të mëdha të Gazës janë në gërmadha, krahas një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të fundit urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin e tij në qytetin jugor të Rafahut, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj./aa