Në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga GPLS-ja, u tha se projekti përdori mjetet e llogaridhënies sociale për të monitoruar shpenzimet publike në këto komuna. Duke i prezantuar të gjeturat e raportit, Dea Fetiu nga GPLS-ja deklaroi se gjatë gjashtëmujorit është bërë monitorimi i shpenzimeve të parasë publike në fushën e arsimit dhe shëndetësisë.

Në raport u bënë publike të gjeturat e procesit të monitorimit të ndërtimit të shkollës fillore "Nënë Tereza" në Vranidoll të Prishtinës, ndërtimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Vushtrri dhe ndërtimi i shkollës "Heronjtë e Kosovës" në Hoçë të Rahovecit, ku të tria objektet janë tashmë funksionale.

Fetiu thekson se këto projekte janë monitoruar që në fillim dhe janë theksuar parregullsitë e vërejtura, ku janë bërë edhe anketa me qytetarët për të parë se sa këto projekte i kanë përmbushur nevojat e tyre. Ajo tha se në procesin e ndërtimit të Shkollës Fillore "Nënë Tereza" në Vranidoll, ka pasur një ndryshim të çmimit të planifikuar për më shumë se 60 mijë euro në tentativën e katërt, pasi kishte kaluar më shumë se një vit e gjysmë.

"Gjatë hulumtimit në këtë kontratë kemi pasur një shkelje të ligjit për prokurim publik, gjegjësisht neni numër 26, sepse sipas këtij neni kontratat me vlerë të madhe duhet të nënshkruhen prej autoritetit më të lartë financiar të autoritetit kontraktues, që në këtë rast është kryetari i komunës, ndërsa kjo kontratë është është nënshkruar vetëm nga drejtori i prokurimit në komunën e Prishtinës", ka thënë Fetiu.

Ajo shtoi se për shkak të procesit të gjatë janë dëmtuar nxënësit, të cilët janë detyruar të udhëtojnë në fshatin fqinj për të vijuar mësimin, ndërsa komuna është dashur të paguajë transportin e tyre. Gjithashtu, nga anketa rezultoi se jo të gjitha punimet brenda shkollës kishin përfunduar, edhe pse ajo ishte hapur.

Gjithashtu, gjatë ndërtimit të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Vushtrri është konstatuar se në buxhetin vjetor nga viti 2019 ishte planifikuar shuma prej 85 mijë euro, ndërsa në kontratën e tetorit 2019 ishte 425 mijë euro.

"Problemi kryesor me këtë ka qenë që projekti është vonuar jashtëzakonisht shumë deri sa është ndërtuar dhe i ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë dhe kontratën e cila parashihte të përfundonte për një kohë shumë më të shkurtër. Sidoqoftë, edhe kjo deri diku sipas të dhënave është arsyetuar për shkak të kushteve të krijuara prej pandemisë", theksoi Fetiu.

Shfrytëzuesit e këtij objekti nuk kanë pasur komente pozitive, pasi kati përdhesë nuk ka qenë funksional për shkak të përmbytjeve të shkaktuara nga planifikimi i keq, infrastruktura e qendrës nuk ka furnizim me ujë në shumicën e zyrave, dhomat multifunksionale janë të ngushta, ndërtimi është me shkallë të ngushta dhe mungon ajrosja, derisa shumica e dritareve janë jofunksionale.

Sipas raportit, projekti i ndërtimit të shkollës "Heronjtë e Kosovës" në Hoçë ka pasur ndryshime në vlerën e prokurimit, pasi përfundimi është shtyrë disa herë për shkak të pandemisë. Kësaj shkolle i mungon edhe salla e edukimit fizik.

Rekomandimet nga raporti theksojnë domosdoshmërinë e sigurimit të zbatimit të ligjit për prokurimin publik dhe buxhetit të planifikuar, zbatimin e një sistemi të rregullt të monitorimit të ndarjeve buxhetore, sigurimin e menaxhimit efikas të kontratave, respektimin e akteve nënligjore dhe angazhimin aktiv të komunitetit dhe ekspertët./TRT