Në shkollën fillore “Fetah Sylejmani” në Komunën e Dragashit në jug të Kosovës është ngritur një kënd lojërash për fëmijë nga Delegacioni Përfaqësues i Türkiyes që shërben në kuadër të Forcës Paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR).

Në ceremoninë e hapjes së këndit të lojërave morën pjesë ambasadori i Türkiyes në Prishtinë Sabri Tunç Angılı, shefi i delegacionit turk kolonel Sabri Gökhan Karamürsel, nënkryetari i komunës së Dragashit Resul Fetahu, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe turke që punojnë në vend, mësues dhe nxënës.

Në fjalën e tij në ceremoni, ambasadori Angılı tha se kjo ndihmë për fëmijët të cilët do të ndërtojnë të ardhmen e Kosovës është shumë e vlefshme dhe e rëndësishme.

Ai falënderoi Forcat e Armatosura Turke dhe institucionet e tjera që kontribuan në përfundimin e projektit.

“Republika e Türkiyes do të vazhdojë të qëndrojë pranë Kosovës sot dhe në të ardhmen, ashtu siç ka qëndruar pranë saj në të kaluarën”, tha ai.

Kryetari i Delegacionit Përfaqësues të Türkiyes, Karamürsel, theksoi rëndësinë e projekteve për fëmijët në mesin e projekteve që ata kanë realizuar në fusha të ndryshme në Kosovë.

“Si kryetar i Delegacionit Përfaqësues, ne kemi realizuar 370 projekte në fusha të ndryshme në mbarë Kosovën në një periudhë prej 25 vjetësh dhe jemi shumë të lumtur dhe krenarë për këtë”, tha ai.

Nënkryetari Fetahu deklaroi se është i lumtur dhe i nderuar që ka ndërmarrë një hap tjetër të bashkëpunimit produktiv me institucionet mike të Republikës së Türkiyes, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve me projekte të ndryshme dhe vazhdimisht mbështesin Komunën e Dragashit.

Pas fjalimeve, nxënësit performuan valle popullore dhe shfaqje vallëzimi.

Ceremonia përfundoi pas prerjes së shiritit për hapjen e këndit të lojërave për fëmijë në shkollën fillore Fetah Suleimani./aa