Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i ka dhënë “Çelësin e Qytetit” kryeministrit shqiptar Edi Rama i cili po qëndron në Kosovë në kuadër të shënimit të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se ky është një vlerësim i angazhimit të tij të pazëvendësueshëm për Shqipërinë dhe Kosovën dhe për të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët.

“Gjuha, tradita, toleranca ndërfetare janë të përbashkëta e dy vendeve tona, dy kryeqendrave tona. Fatet tona janë të gërshetuara dhe udhëhiqen nga i njëjti yll polar që na orienton drejt përparimit dhe unitetit. Për këtë arsye e çmoj kryeministrin Edi Rama për mbështetjen e pakursyer për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, tha kryebashkiaku Rama.

Ai gjithashtu e përgëzoi kryeministrin për zhvillimin e hovshëm të Shqipërisë në vitet e fundit.

Kryeministri shqiptar Edi Rama është shprehur i kënaqur që i është dorëzuar “Çelësi i Qytetit” të Prishtinës. Ai tha se po e përcjell progresin e Prishtinës me të gjitha sfidat me të cilat po përballet kryeqyteti.

Rama ka treguar se sot në Prishtinë ka marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi” së bashku me kryeministrin e njohur italian Massimo D’Alema.

Sipas tij, periudha e Rugovës ishte periudha më e suksesshme e politikës ndërkombëtare të Kosovës.

“Ka qenë një mundësi e mirëpritur për të pasur një reflektim mbi një figurë të historisë së shqiptarëve që është një figurë shumë atipike. Një figurë e papërsëritshme në këndvështrimin tim. Një figurë që, sa më shumë kalon koha aq më shumë rritet në peshën mbi historinë e Kosovës por edhe historinë e kombit tonë në tërësi”, theksoi Rama.

I pyetur për acarimin e marrëdhënieve me kryeministren e Kosovës, Albina Kurtin, Rama tha se interesat kombëtare nuk janë çështje personalitetesh dhe partish e as çështje të brendshme, por i përcakton politika e jashtme. Ai theksoi se dy qeveritë janë duke bashkëpunuar dhe aktualisht është duke u bërë një studim fizibiliteti për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë.

Kryeministri Rama është pritur paraditen e sotme edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani./aa