Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një prononcim për mediet pas përfundimit të mbledhjes së Komitetit të Përbashkët Shqipëri-Azerbajxhan në Baku, u shpreh mbi konkretizim të projekteve mes dy vendeve, si projekti pilot për gazifikimin e Korçës, terminali i rigazifikimit në Gjirin e Vlorës.

Gjithashtu mes palëve u diskutua për mundësinë e pjesëmarrjes së kompanive të dy vendeve në projekte të energjisë së rinovueshme.

Zv/kryeministrja theksoi se Shqipëria është kampione sa i takon prodhimit të energjisë nga burime të rinovueshme.

Sipas saj, vendi ynë synon diversifikimin e portofolit të prodhimit të energjisë dhe të ndërlidhet me korridoret kryesore të transmetimit të energjisë.

“Është kënaqësi shumë e madhe të jemi këtu me një pjesë të kabinetit. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona kanë qenë gjithnjë të shkëlqyera. Për shkak të bashkëpunimit të ngushtë mes Presidentit Aliyev dhe Kryeministrit Edi Rama kemi hapur një kapitull të ri bashkëpunimi mes Azerbajxhanit dhe Shqipërisë. Krijimi i këtij Komiteti, që ka nisur punën si një grup pune një vit më parë, na bën besimplotë se të gjitha projektet dhe planet që kemi për të ardhmen do të realizohen”, tha Balluku.

Ajo tha se fushat e bashkëpunimit mes të dy vendeve janë të shumta, nga energjia, te arsimi, kultura dhe inovacioni.

“Kemi diskutuar sot në detaje për çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen. Kemi gjetur fusha interesi të përbashkëta, siç është  energjia, ekonomia, bujqësia, kultura, arsimi, shëndetësia dhe fusha të tjera të cilat kanë të bëjnë me inovacionin dhe digjitalizimin”, tha Balluku.

“Angazhimet që kemi ndërmarrë sot, nga të gjithë ministrat e kabinetit shqiptar që kanë qenë në tryezë, apo dhe qeverisë së Azerbajxhanit, do të jenë prioritete për axhendat qeveritare të të dyja vendeve. Shpresojmë që në muajt në vazhdim të kemi konkretizim të projekteve që jemi angazhuar sot. Nga ana tjetër shpresojmë shumë, që vitin tjetër, kur të ulemi në tryezë të mos flasim më thjesht për plane, por të flasim për rezultatet dhe për arritje konkrete”, shtoi Balluku.

E pyetur mbi çështjet e energjisë, zv/kryeministrja tha se “Shqipëria është kampione në prodhimin e energjisë së rinovueshme, prodhon 100 % enegji elektrike nga burime të rinovueshme. Qëllimi ynë kryesor është të diversifikojmë portofolin e energjisë së gjelbër. Deri tani kemi qenë të bazuar tek energjia hidrike”.

“Ajo që është e rëndësishme për Shqipërinë dhe ajo që kemi ndarë bashkë është siguria energjetike. Kjo sepse sigurisht një vend mund të prodhojë energji të gjelbër, por nëse s’ka mjaftueshëm sa për të plotësuar nevojat e tij apo të rajonit, atëhere ka probleme sa i takon sigurisë energjetike. Kështu, këto dy tema janë pika ku ne duhet të bashkëpunojmë”, evidentoi zv/kryeministrja.

“Uroj që nga ky bashkëpunim rezultati të jetë shkëmbimi i praktikave më të mira që kemi. Krijimi i sigurisë energjetike falë gazit azer për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër po investojmë në ankande shumë transparente dhe konkurruese për të krijuar burime të reja të energjisë së gjelbër. Ky mund të jetë një nga çelësat e suksesit dhe me siguri, jam e bindur dhe optimiste se bashkëpunimi ynë do të sjellë rezultate konkrete, do të jenë të prekshme nga të gjithë konsumatorët”, tha Balluku.

Zv/kryeministrja më tej theksoi se investimi në rrjetet e transmetimit të energjisë është synimi kryesor i qeverisë shqiptare.

“Sa i takon korridoreve të gjelbër, transformimi është sfidë e re për të gjitha shtetet. Nuk mjafton të prodhosh dhe të jesh i izoluar, por transmetimi e bën këtë produkt të vlefshëm ndërkombëtarisht. Ajo që ne synojmë është të jemi të lidhur me korridoret kryesore të energjisë. Sikurse ju po punonin në tre projekte të mëdha. Ne po punojmë të krijojmë korridorin e tetë të energjisë, një korridor sigurie jo vetëm për transportin ndërkombëtar, por edhe për energji. E ardhja qëndron tek investimet në rrjetet e transmetimit”, përfundoi Balluku./ata