Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet ka kujtuar sot 80-vjetorin e gjenocidit mbi shqiptarët e Çamërisë nga shovinizmi grek.

Nga foltorja e Kuvendit, kryetari i PDIU, Shpëtim idrizi, tha se kjo është një çështje për të cilën duhet të ngremë zërin. Sipas tij, askush nuk duhet të ketë frikë, pasi janë shkelur edhe konventat ndërkombëtare.

Idrizi në fjalën e tij, solli dhe historinë e një të moshuari në Kosovë, i cili kur u pyet për masakrën e Reçakut, edhe pse kishin kaluar 25 vite, u përgjigj duke theksuar se “gjenocidi nuk ka moshë”.

“Prandaj jemi këtu, për ta sfiduar derisa të kemi drejtësi. Prania jonë sot është respektimi dhe përkujtimi më i mirë që mund t’i bëjmë kësaj drame të madhe kombëtare”, tha Idrizi.

“Sot është data 10 qershor dhe për ne është dita e Lidhjes së Prizrenit, ditë kur shqiptarët u bënë bashkë për të mos lejuar copëtimin e trojeve shqiptare nga fuqitë e huaja. Në Çamëri u krijua lidhja shqiptare e jugut, me Abdyl Frashërin dhe Abedin Bej Dinon, një figurë e jashtëzakonshme e beut të Prevezës, ish-ministër i Jashtëm i Perandorisë Osmane, i thirrur në të gjithë negociatat për 30 vjet, nga 1878-1913, punoi dhe bëri gjithçka që të ndalonte copëtimin e Çamërisë. Në përkujtim të kësaj dite vendosëm që ky aktivitet, në parlamentin e Shqipërisë të na bashkojë bashkë, përfaqësues të politikës, akademikë për të ngritur zërin për një nga gjymtyrët e prera të kombit shqiptar, për Çamërinë”, tha Idrizi.

Sipas tij, me gjenocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë janë shkelur dhe konventat ndërkombëtare. Idrizi rreshtoi dhe disa prej tyre.

“Dua t’ju rikujtoj edhe konventat ndërkombëtare që janë shkelur me masakrën dhe gjenocidin e Çamërisë: Konventa për parandalimin e krimeve të gjenocidit të viteve 1945, Konventa për krimet e luftës në 1968 dhe Konventa e shoqërisë demokratike sot, për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Çështja çame s’duhet të trembë askënd prej nesh. Është e drejta e jetës së mohuar, e drejta e pronës së tjetërsuar, dinjiteti njerëzor i masakruar. Ndaj ne sot duhet të jemi të vetmit që nuk mund të ndihemi as në faj dhe as të trembur, sepse jemi në trojet dhe në të drejtën tonë kombëtare”, tha mes të tjerash ai./ata